Menaxheri i ekipit të vaksinimit: Do të punohet me orar të plotë

Kosova

Menaxheri i ekipit të vaksinimit: Do të punohet me orar të plotë

Më: 9 shtator 2021 Në ora: 19:28
Niman Bardhi

Vaksinimi masiv gjatë ditëve të javës në vend po vazhdon edhe më tutje, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë është bërë e ditur se 11 dhe 12 shtatori, të gjithë qytetarët qe duan ta marrin vaksinën, do të mund ta marrin atë edhe gjatë vikendit.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie kjo është bërë sepse gjendja me pandeminë në vend, gjatë ditëve të fundit është rënduar.

Menaxheri i ekipit të vaksinimit në nivel vendi, Niman Bardhi ka thënë se interesimi dhe fluksi i qytetarëve për t’u vaksinuar është shtuar ditëve të fundit.

Ai bëri të ditur se vaksinimi gjatë vikendit do të bëhet me orar të njëjtë sikurse gjatë ditëve të javës.

“Ashtu si gjatë ditëve të javës, edhe ditëve të vikendit do të jenë me orar të plotë duke filluar nga ora 07:00  deri në orën 20:00 me gjithë kapacitetin e punës, gjithnjë duke u thirrur në nivel vendi”, u shpreh Bardhi.

Ai tha se pavarësisht lodhjes të gjitha ekipet shëndetësore kanë shprehur gatishmërinë që vaksinimi i qytetarëve të jetë prioritet.

“Pos ekipeve mjekësore, që janë të përkrahura nga QMF-të, Ministria e Shëndetësisë ka organizuar staf shtesë, keni edhe specializantët, ne kemi arritur të riorganizojmë stafin. Tashmë një qytetar mund të ndajë terminet edhe për 10 persona të tjerë, ndaj për ditët e vikenditpritet që numri i termineve të rritet”.

Tutje, ai shtoi se deri në këto momente në nivel vendi janë vaksinuar 18 mijë persona, gjithashtu Bardhi foli edhe për mundësinë e vaksinimit të qytetarëve me dozën e tretë, duke thënë se kjo për ta nuk paraqet ndonjë problem, pasiqë e kanë stafin dhe hapsirën e mjaftueshme që një proces i tillë të mos jetë sfidues për ta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat