Ka filluar “Java e Rinisë”, në Shtime, ku po marrin pjesë të rinjtë e pasionuar në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
“Java e Rinisë” ka nisur me organizimin e bërë në Qendrën e Inovacionit nga platforma ndërkombëtare e të rinjve “Leadership Development Association Balkan” dhe “Trailblazer Community Prishtina”, të cilët sollën në Shtime ngjarjen “Karriera në Salesforce”.
Sipas një njoftimi, nga e gjithë kjo përfitues ishin të rinjtë e pasionuar në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Ngjarja kishte në fokus temën e trajnimeve që do t’i ndjekin përfituesit dhe mundësitë e punësimit në kompanitë e ndryshme me renome botërore. Për këtë pesë nga ta, do të ofrohen edhe certifikata “voucher” falas, të cilat kanë vlerë 200.00 dollarë.
Në fjalën e tij, kryetari i komunës Naim Ismajli ka falënderuar organizatorët Qëndrim Hoxha, Raba Mehmeti dhe Arbita Thaqi dhe të rinjtë tjerë të Qendrës Rinore, duke i inkurajuar që të vazhdojnë me organizimin e sa më shumë ngjarjeve të tilla që në fokus kanë fuqizimin dhe mbështetjen e të rinjve përmes programeve të edukimit joformal.
Ai gjatë diskutimit me të rinjtë, theksoi se Qendra e Inovacionit ka plan të aktiviteteve, ndërsa në të ardhmen do të investohet edhe më shumë në kabinete të teknologjisë më moderne, të cilat do të hapen në shkollat e fshatrave duke iu krijuar më shumë kushte të rinjve për qasje në tregun e punës sepse nga aty fillon edhe përgatitja e kuadrove të reja për tregun vendas dhe evropian.