Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një videoadresimi, iu është drejtuar qytetarëve të Hanit të Elezit për zgjedhjet e 17 tetorit.
Ai ka kërkuar votën për listën e Aleancës për Kuvend Komunal, të cilës i prinë kryetari i degës Zaim Bela, ekonomist i diplomuar.
“Komuna e re e Hanit të Elezit po rritet e po forcohet. Krenohemi si Aleancë që jemi me ju e do të jemi edhe në katër vitet që vijnë në Asamblenë Komunale, me listën tonë me kandidate e kandidatë të respektuar së cilës i prin Zaim Bela ekonomist i diplomuar dhe një menaxher i dëshmuar deri sot” – ka thënë Haradinaj, duke shtuar se e ka për nderë të kërkojë votën e qytetarëve të Hanit të Elezit.
Aleanca edhe në këto zgjedhje e përkrah kandidatin e pavarur Rufki Suma dhe kandidon vetëm për Asamblenë Komunale. Tradicionalisht, AAK në Han të Elezit ka marrë një të katërtën e votave dhe ka qenë pjesë e qeverisjes së z.Rufki Suma.