Krasniqi: Besoj se në këto zgjedhje do dalin më mirë se në ato të vitit 2017

Kosova

Krasniqi: Besoj se në këto zgjedhje do dalin më mirë se në ato të vitit 2017

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 23:18
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është optimist se në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë muaj, partia e tij do të del me rezultat më të mirë se ai i vitit 2017.

Në Rubikon ai tha se për këtë bazohet nga takimet që i ka në terren me qytetarët, duke shtuar se po sheh një entuziazëm i cili e inkurajon për rezultat të PDK-së në shumicën e komunave.

Krasniqi po ashtu sqaroi se ka insistuar që kësaj here te ketë risi dhe se shumica e kandidatëve të kësaj partie garojnë për herë të parë, si dhe që kanë numër më të madh të grave garuese në historinë e garave lokale.

“Vizioni im do të jetë për një PDK të gatshme për vitin 2022 e tutje, një parti që angazhimin e vet e bazon në punë e dije. Përgjegjësisë nuk do i iki, edhe për rezultate edhe për krejt. Megjithatë, në PDK një vit më herët i kemi pasur të përgatitura kandidaturat. Si karakter jam goxha institucionalist dhe do të jem në komunikim me këshillim drejtues e të tjerë se PDK ka nevoje për një ristrukturim”.

“Këshilli drejtues e ka zgjedhur kryesinë që unë ia kam propozuar e që mendoj se është e duhura. Është me rëndësi që t’i jap një drejtim të ri partisë, i cili e kthen besimin te qytetarët, atë që s’e kemi pasur në zgjedhjet e kaluara”.

I pari i PDK-së deklaroi se garën për Prishtinën dhe Prizrenin do ta kenë në raundin e dytë, pra sipas tij do të jenë në balotazh, dhe se sivjet do të ketë rekord të komunave që do të kryhen pa balotazh.

“Aty ku jemi të tretët do garojmë për të qenë të dytit. Aty ku jemi të dytit do garojmë për të qenë të parët, dhe aty ku jemi të parët garojmë për ta mbajtur pozitën”, tha Memli Krasniqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat