Dy mësimdhënës të shkollës “Sali Bytyqi” në Malishevë janë ndaluar në polici pasi dyshohet se kanë përdorur dhunë ndaj një nxënësi të klasës së shtatë që është në këtë shkollë
Këtë e bëri të ditur Nysret Gjurkaj, zëdhënës për media në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, duke shtuar se rastin në polici e kishte paraqitur babai i fëmijës i cili ka deklaruar se fëmija i tij kishte marrë lëndime trupore.
“Datë 08.10.2021, rreth orës 19:00 prindi i viktimës ka paraqitur në stacion policor se fëmija i tij i moshës 12 vjeçare nxënës i klasës së VII-të në SH.F.M.U. “Sali Bytyqi” në fshatin Shkozë deri sa ishte duke qëndruar ne korridor të shkollës në katin e dytë rreth orës 15:30, ishte keqtrajtuar dhe rrahur nga dy të dyshuarit mësimdhënës të kësaj shkolle duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në pjesën e fytyrës dhe mbrapa kokës në pjesën e qafës, viktima ka pranuar trajtim mjekësor në QKMF Malishevë.
Është siguruar prezenca e dy te dyshuarve nga te cilët janë marrë deklarata me shkrim dhe në konsultim me prokurorin kujdestar dy të dyshuarit ndalen ne ndalim policor prej 48 orësh”, ka thënë Gjurkaj.