Agjenda e sotme ishte e veçantë për kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci pasi që në mesin e tyre ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Me kryetarin Krasniqi, Lladrovci thotë se agjendën e filluan me takimin në Sheshin “Fehmi Lladrovci”, me kafe për mirëseardhje dhe vazhduan me takimin me të rinjtë e Rinisë Demokratike në Sallën e Kulturës dhe debatin në transmetimin virtual online me rininë.
“Kryetari Krasniqi dhe unë, diskutuam rreth çështjeve rinore, ku theksova se rinia ka qenë, është dhe mbetet prioritet i PDK-së dhe imi, në qeverisjen lokale edhe në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Lladrovci.
Sipas tij, disa nga statistikat janë shumë inkurajuese, psh granti nga Qeveria japoneze me vlerë 250 mijë dollarë, rreth 1.000 bursa, etj.
“Vizita e kryetarit Memli Krasniqi, ishte rast të rikonfirmojmë se bastioni i PDK-së në komunën e Drenasit, tash e dy dekada, është më i fortë se kurrë”, ka thënë ai duke shtuar se nga takimet e deritashme, mbi 250 takime elektorale, kanë bashkëbiseduar me qytetarë, aktivistë dhe anëtarë të PDK-së, të cilët e vlerësojnë punën e qeverisjes së tij, e cila është më e mira në Kosovë.
Lladrovci ka thënë se bashkë për Drenasin do të vazhdojnë me suksese.