Kandidati për kryetar të Deçanit nga radhët e AAK-së dhe njëherit kryetari aktual i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, thotë se tani ky qytet është 100% më i pastër. Ai gjithashtu shprehet i lumtur që sipas tij, brenda katër viteve të qeverisjes së tij, Deçani ka marrë pamje tjetër, më të bukur dhe më të zhvilluar.
“Sot, qyteti i Deçanit ka infrastrukturë më të mirë, qoftë qendrës së qytetit, po ashtu në çdo lagje, ka ndriçim publik gjithandej! Qytetarët e Deçanit janë të parët që e shijojnë dhe përjetojnë investimet në ndërtimin e shtratit dhe shëtitores bregu të lumit “Lumbardh”, shëtitores në drejtim të Grykës së Deçanit, ndërtimin e krojit te thanës!” shkroi Ramosaj në një postim në Facebook.
Tutje kandidati për të parin e Deçanit thotë se shëndetësia është shumë më e mirë, me emergjencë të re, e kushte të volitshme për punë dhe shërbim.
“Poashtu, shkolla ku vijonë mësimin nxënësit po ndërtohet e re! Palesta Sportive, e Qendra Rinore, Kolonia e Artistëve, Shtegu i Alpinisteve etj, i japin qytetit të Deçanit tjetër dimension! Do të punojmë edhe shumë e shumë projekte për Deçanin!”
Ramosaj gjithashtu zotohet se besimin e qytetarëve do ta kthejë me punë dhe përkushtim.