Në Kosovë sot është heshtje para zgjedhjeve për pushtetin lokal që do të mbahen të dielën.
Rreth 1 milionë e 885 mijë qytetarë me të drejtë vote do të mund të zgjedhin ndërmjet 48 subjekte politike të regjistruara që synojnë përfaqësim në kuvende komunale dhe në udhëheqjen e 38 komunave të vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë tashmë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e procesit zgjedhor ndërsa bëri të ditur se deri më tani ka akredituar rreth 25 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë për të mbikëqyrur procesin e votimit dhe numërimin e votave. Zyrtarë të këtij Komisioni u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve në zgjedhje që t’u përmbahen ligjeve të vendit dhe të mos keqpërdorin procesin zgjedhor.
Nga numri i përgjithshëm i vëzhguesve të zgjedhjeve, 177 janë të organizatave ndërkombëtare ndërsa 39 të përfaqësive diplomatike në Kosovë.
Mëse 100 prokurorë e gjykatës dhe mbi 3 mijë zyrtarë policorë do të jenë të përfshirë në ditën e zgjedhjeve për të siguruar veprimet ligjore ndaj përpjekjeve për keqpërdorim të votës./VOA