Mbi 26 për qind e qytetarëve të Vushtrrisë tashmë kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar për të parin e komunës, ndërkohë që të drejtë vote gjithsej kanë 71 mijë e 684 persona.
Ekipi i KosovaPress-it ka qëndruar në qendrën e votimit 2704B në shkollën "Mustafë Vehnari" për të parë nga afër ecurinë e zgjedhjeve.
Menaxherja e kësaj qendre, Ferdane Llapashtica tha prapa kamerës se në këtë shkollë të drejtë vote kanë rreth 12 mijë votues, teksa tregoi edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor aty.
E pyetur nëse kanë pasur probleme me energjinë elektrike pasi u raportua se disa qendra të votimit kishin mbetur pa rrymë, ajo tha se kanë pasur një problem, i cili siç tha ajo është sanuar brenda gjysmë ore.
"Në shkollën “Mustafë Venhari” kemi 14 vendvotime dhe 11 mijë e 999 votues. Prej momentit të hapjes së qendrës së votimit nuk kemi pasur ndonjë incident që e dëmton procesin zgjedhor", është shprehur ajo.
Ndërkohë që interesimi i qytetarëve për të votuar dukej i kënaqshëm, të pakët ishin ata që pranonin të dilnin para kamerës.
Qytetarja Fikrije Venhari tha për KosovaPress se nga këto zgjedhje presin punësim më të madh.
Venhari: Presim punësim më të madh
"Presim më të mirat... punësimi, punësimi, të rinjtë të punësohen më së shumti", tha ajo.
Ndërkaq pati edhe nga ata qytetarë që u pengoi prezenca e kamerës në këtë qendër, saqë kërcënuan se do ta thyejnë kamerën në rast se drejtohet edhe një herë nga ta.
Në komunën e Vushtrrisë të drejtë vote kanë 71.684 qytetarë, të cilët do të kenë mundësinë që të votojnë për të parin e komunës së tyre deri në orën 19:00.
Në zgjedhjet në Vushtrri kandidojnë për kryetar Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës, Arsim Rexhepi Lëvizja Vetëvendosje, Mensut Ademi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albert Maxhuni Nisma Socialdemokrate, Erdin Sunguri Partia Demokratike Turke dhe Jeton Salihu, kandidat i pavarur.