Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e Komunës së Kaçanikut, Jeton Raka, i cili është në balotazh me Besim Ilazin e Partisë Demokratike të Kosovës, deklaroi se ky i fundit ka ndikuar që rezultat, duke i kërcënuar dhe shantazhuar votuesit e kësaj komune.
Raka tha se në tre ditët e fundit para zgjedhjeve të 17 tetorit pushteti aktual i ka përdorë të gjitha mekanizmat e pushtetit dhe propagandë të ulët dhe se mendon që kjo ka ndikuar sadopak edhe në rezultatin e zgjedhjeve.
“Pushteti aktual i ka të gjitha mekanizmat për shkak se është që 21 vjet në qeverisje në Komunën e Kaçanikut, dhe mekanizmat e tyre janë si administrata, mësimdhënësit, menaxherët e shkollave që janë politikë dhe të gjithë institucione të tjera, përfshirë edhe inkasantët e kompanitë e ndryshme”.
“Qytetarët kërcënohen e shantazhohen se ‘nëse LVV të vijë në pushtet, ju do të largoheni nga puna, se do ja u ndalin socialin’ e raste të tjera që janë raportuar tek ne”.
“Ka pasur edhe grupacione të organizuara para qendrave të votimit që kanë ushtruar presion ndaj votuesve dhe ka pasur raste që votuesit kanë thënë që s’mund të shkojnë të votojnë dhe se presin që të errësohet, sepse i kanë ndalur nëpër pika”.
Raka i Vetëvendosjes po ashtu akuzoi se në Kaçanik s’ka qeverisje, por sundim 21 vjeçar dhe akuzoi Ilaizin se është peng i operatorëve ekonomikë.
“14 nëntori do të jetë dita kur do të festojnë qytetarët dhe jo kompanitë e operatorët ekonomikë me kamionë, se qe 21 vjet radhazi në Kaçanik nuk festojnë qytetarët, por kompanitë duke qarkulluar në bulevard me kamionët e tyre, se Ilazi është peng i operatorëve ekonomikë, se të gjitha projektet orientohen nga kërkesat e tyre dhe jo ndaj qytetareve”.
“Gjithë projektet kapitale kalojnë kah 5-6 kompanitë që janë të preferuarat e Ilazit, të cilat angazhohen në fushatë, sepse pushteti aktual i shpërblen me kontrata të majme dhe pothuajse gjithmonë i zgjedhin ofertuesit më të shtrenjtë”, shtoi Raka.