Qysh në orën shtatë të mëngjesit në qytetin e Fushë Kosovës është hapur qendra më e madhe e votimit në shkollën fillore “Selman Riza”, 0901E, qendër në të cilën të drejtë vote kanë 14 mijë e 600 qytetarë në 17 vendvotime.
Ndonëse mëngjes qytetarë në numër të konsiderueshëm ia mësynë kësaj qendre të votimit për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. E përmes votës ata po kërkojnë ndryshim pozitiv.
I pari që votoi në këtë qendër të votimit ishte Shemsi Vllahu i cili tha se nga këto zgjedhje presin ndryshime në çdo aspekt.
Vllahu: Shpresoj të bëhet më mirë
“Me u bë diçka më mirë shpresoj, shpresat i kemi....në përgjithësi në komunën e Fushë Kosovës në të gjitha komunat por në Fushë Kosovë gjithsesi”, tha ai.
Ylli Gjyrevci një i ri nga kjo komunë thotë se nga raundin i dytë i këtyre zgjedhjeve pret ndryshime sidomos për rininë.
Gjyrevci: Presim të bëhet më mirë
“Vetëm të bëhet më mirë me u zhvillua Fushë Kosova për rini më shumë këtë po e presim”, tha ai.
Në komunën e Fushë Kosovës janë 15 qendra të votimit me gjithsej 50 vendvotime.
Menaxheri i kësaj qendre, Esat Simnica tha se u është ndaluar nga KQZ që të japin deklarata për medie.
Në komunën e Fushë Kosovës të drejtë vote kanë 40 mijë e 289 qytetarë.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunën e Fushë Kosovës, në garë janë kandidati i LDK-së, Burim Berisha dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Bajçinca.
Raundi i parë i zgjedhjeve lokale u mbajt më 17 tetor, ndërsa 21 komuna shkuan në balotazh që po zhvillohet sot.