​Jashari: 85 % e territorit të Skenderajt me ujësjellës

Kosova

​Jashari: 85 % e territorit të Skenderajt me ujësjellës

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 18:37
Bekim Jashari

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se fal angazhimit maksimal dhe bashkëpunimit me Qeverinë Zvicerane dhe Qeverinë e Kosovës, brenda mandatit qeverisës është arritur që të rritet mbulueshmeria me rrjet të ujësjellësit nga rreth 30% sa ishte në vitin 2017, në mbi 85% në vitin 2021.

“Sot, për nder të festave të nëntorit, bashkë me drejtorin e CDI-së për Kosovë, Astrit Vokshi, kompaninë kontratuese me pronar Azem Tahiraj, drejtorë e asambleistë përuruam stacionin e pompimit në fshatin Llaushë, përmes të cilit mbushen rezervaret e ujit në Rezallë e Plluzhinë për furnizim me ujë të pijshëm për fshatrat e kësaj pjese”, u shpreh Jashari.

Sipas një komunikate të komunës së Skenderajt, për realizimin e këtij projekti që përfshin edhe instalimin e gypit kryesor në 10 fshatra vitin e kaluar dhe këtë vit si dhe për projektin e gypit kryesor në 15 fshatra tjera me herët, kryetari Jashari ndau mirënjohje për CDI-në, menaxherin, Lavdim Osmanaj, si dhe kompaninë kontraktuese për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në sigurimin e ujit të pijshëm për qytetarët e kësaj komune, përmes funksionalizimit të rrjetit primar dhe vendosjes së gypave në lagjet 3 dhe 6 të qytetit, ndërtimit të rrjetit primar dhe sekondar në fshatin Klinë e Mesme, si dhe te varrezat në fshatin Polac.

“Jam shumë i lumtur që gjatë mandatit tim qeverisës po i bëjmë me ujë të pijshëm 25 fshatra me ujë të pijshëm dhe kështu po mbetet vetëm edhe bashkësia lokale e Qirezit për të cilën bashkësi kemi kërkuar nga donatorë nderkombëtar dhe vendor dhe kemi marrë gatishmeri të tyre për bashkëpunim”, tha Jashari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat