Gjashtë ambasadorë të rinj nga Kosova, kanë përfaqësuar vendlindjen e tyre ditë më parë në Itali. Në Forumin Europian Ballkanik, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë, studentë nga Kosova kanë diskutuar për Evropën që ata duan dhe kanë grumbulluar idetë për një të ardhme të përbashkët evropiane. Para përfaqësuesve të Komisionit Evropian ata kanë kërkuar disa herë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.
Suheli, Dea dhe Senadi me shumë bashkëmoshatarë nga 33 vendet anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, muajin e kaluar kanë marrë pjesë në Forumin Europian Ballkanik të organizuar në Romë.
Senad Dërguti me grupin nga Kosova kanë takuar përfaqësues nga e gjithë bota, ku për katër ditë radhazi në pesë grupe kanë diskutuar për tema të ndryshme.
Dërguti: Kemi biseduar për barrierat apo sprovat që është duke u përballur teknologjia informative
“Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë ka organizuar një konferencë me studentët që vijnë prej krejt Bashkimit Evropian, por duke i përfshirë edhe shtetet që vijnë prej Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën. Prej Kosovës kemi qenë një grup i studentëve pjesëmarrës dhe pastaj brenda konferencës gjithë studentët kanë qenë të barabartë në trajtim dhe janë ndarë në pesë grupe. Kryesisht kemi biseduar për barrierat apo sprovat që është duke u përballur teknologjia informative në ditët e sodit dhe sulmet kibernetike në shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.
Senadi ka pasur edhe një prezantim para ministrit italian, Luigi Di Maio dhe zëvendës-presidentes së Komisionit Evropian, Dubravka Shuica, ku mes tjerash ka përmendur edhe kërkesën për liberalizim të vizave.
Dërguti: Kemi përmendur disa herë nevojën e liberalizimit të vizave
“Për shkak se kemi pasur mundësi të takojmë studentët prej gjithë Evropës, për shkak se kemi pasur mundësi të takojmë zyrtarë të lartë të qeverisë italiane, kemi pasur mundësi të bisedojmë edhe për liberalizimin e vizave. Unë personalisht por edhe kolegët e mi e kemi përmendur shumë herë këtë çështjen e nevojës së liberalizimit për Kosovën”, tregon Dërguti.
Edhe për Dean Fetiun, e cila studion në Fakultetin Juridik, kjo mbetet një eksperiencë e cila do i shërbej për të ardhmen. Ajo thotë se temat që janë diskutuar në këtë forum kanë qenë aktuale dhe janë treguar pikëpamjet e rinisë kosovare.
Fetiu: Propozimet do të përdorën për të hartuar strategji të reja
“Kemi marrë pjesë me gjashtë të tjerë prej Kosovës, ku kemi pasur nderin dhe në një mënyrë të përfaqësojmë kërkesat e rinisë atje. Ky forum ka qenë i organizuar prej Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, duke e ditur që Ministria e Punëve të Jashtme si gjithë qeveria momentale e Italisë është e orientuar të jap zë të rinjve. Për atë arsyeje këtë konferencë që e kanë organizuar e kanë bërë me qëllim që ne t’i hartojmë disa propozime dhe që më vonë do t’i përdorin në mënyrë që të hartohen strategji të reja se si në Evropë me e inkuadruar të rinjtë për vendimmarrje”, thekson Fetiu.
Një prej ambasadorëve të rinj të Bashkimit Evropian, i cili mori pjesë në Romë thotë se kjo të mbetet një eksperiencë e paharrueshme. Edhe Suhel Ahmeti disa herë gjatë aktiviteteve në Itali ka përmendur kërkesën e Kosovës për liberalizim të vizave.
Ahmeti: Kemi thënë që të largohen këto barriera dhe të jemi pjesë e vendimmarrjes
“Kur i kemi parë bashkëmoshatarët tanë që janë ardhur në Romë prej vendeve të ndryshme të BE-së, ata nuk kanë pasur këso barriera si i ka Ballkani Perëndimor, Kosova sa i përket vizave. Ne para se të shkojmë në Itali është dashur të plotësojmë shumë formularë. Ka pasur shumë procedura burokratike dhe këtë çështje e kemi ngritur atje dhe kemi thënë edhe të rinjve prej Kosovës me i largu këto barriera dhe ne të përfaqësojmë dhe të jemi pjesë e vendimmarrjes duke marrë parasysh që Kosova po aspiron të jetë pjesë e BE-së. Edhe zëri i të rinjve të dëgjohet”, shprehet ai.
Ky forum është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, në partneritet me Këshillin Regjional për Bashkëpunim (RCC). 78 studentë nga vendet evropiane dhe Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar rekomandimet për qeverinë, institucionet evropiane dhe shoqërisë civile.