​Më 2023 parashkruhet rasti ndaj katër ish-ministrave për “Faljen e Hidrocentraleve”

Kosova

​Më 2023 parashkruhet rasti ndaj katër ish-ministrave për “Faljen e Hidrocentraleve”

Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 12:48
Pamje nga takimi

Është publikuar të hënën raporti “Korrupsioni në prag të parashkrimit” nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me ç’rast u tha se sipas statistikave zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përgjatë viteve 2015-2019, gjykatat themelore kanë zgjidhur gjithsej 1 mijë e 96 raste të personave të akuzuar për korrupsion, ndërsa janë parashkruar akuzat ndaj 50 personave. Derisa u tha se në janar të vitit 2022 pritet parashkrimi i rastit të ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe rasti tjetër ‘Fan’.

Ndërkaq, deri në vitin 2023 pritet të parashkruhet rasti ndaj katër ish-ministrave për aktakuzën “Falja e Hidrocentraleve”.

Leotrim Gashi hulumtues i lartë në IKD gjatë prezantimit të këtij raporti tha se instituti ka identifikuar rastet ndaj 11 personave të akuzuar për korrupsion, të cilat rrezikojnë të parashkruhen gjatë vitit 2021, për shtatë nga të cilët bëjnë pjesë edhe të akuzuar të profilit të lartë.

Ndërkaq, përpos tyre, Gashi tha se janë identifikuar edhe rastet ndaj 12 personave të tjerë, 6 nga të cilët i takojnë profilit të lartë, rastet e të cilëve nëse nuk ndërmerren veprimet e shpejta nga gjyqësori deri në vitin 2023, rrezikojnë të përfundojnë pa u ditur nëse të njëjtit janë fajtorë apo të pafajshëm.

Gashi: Rasti ndaj katër ish-ministrave mund të parashkruhet lënda më 2023

“Rastet të cilat rrezikojnë të parashkruhen vitin e ardhshëm, është rasti ndaj Ili Tolaj, i cili ka një procedurë të rigjykimit. Dhe, tashmë ky rast më 12 janar të vitit ardhshëm do të parashkruhet… Dhe pothuajse ky rast ka marrë fund pa një aktgjykim. Rast tjetër, është edhe rasti i njohur si “FAN”, ku janë të akuzuar gjashtë persona, ku ka një dëm të konsiderueshëm prej 5 milionë euro, dhe kështu ky rast rrezikon të parashkruhet më 20 janar të vitit 2022. Përpos rasteve të vitit 2022, ne kemi gjetur edhe 11 persona të tjerë të cilët janë të akuzuar për korrupsion, ku bëjnë pjesë edhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit e që aktakuza ndaj tyre nëse nuk ndërmerren veprime të shpejta mund të përfundojnë edhe këto pa një aktgjykim përfundimtar. Këtu bëjnë pjesë katër ish-ministrat, Mimoza Kusari Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq dhe Besim Beqaj”, theksoi Gashi.

Gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi, tha se prioritet është luftimi i korrupsionit dhe kjo siç ka thënë ai nuk ka mbetur vetëm si retorikë, por që është shndërruar në veprime konkrete.

Derisa theksoi se gjyqësori duhet të jetë i shqetësuar qoftë edhe për një lëndë të parashkruar.

Maliqi: Ne si gjyqësor duhet të shqetësohemi edhe nëse vetëm një lëndë parashkruhet

“Ne si gjyqësor duhet të shqetësohemi edhe nëse vetëm një lëndë parashkruhet sidomos në aspektin relativ që është një diçka që mund t’i atribuohet edhe vetë fajit të gjyqtarit. Por, gjithsesi këto raste të parashkrimit, të cilat u përmenden edhe në raport, me siguri se do të jenë në fokus të KGJK-së për t’u trajtuar dhe nëse eventualisht gjendet neglizhencë e gjyqtarit gjatë punës së tij, atëherë normalisht që kjo vlen të ceket se duhet të zbatohen në përpikëri Ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve”, theksoi Maliqi.

Ndërsa, Shawn Waddoups drejtor i INL në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kërkuar përkushtim më të lartë të gjykatave për t’i trajtuar në kohë rastet korruptive dhe që mos të ketë lëndë të parashkruara.

Waddoups: Gjykatat të bëjnë gjithçka për t’i gjykuar rastet sipas ligjit

“Për t’i ikur mundësisë së parashkrimit të rasteve, gjykatat e nivelit të lartë duhet të bëjnë gjithçka që t’i gjykojnë ato raste sipas ligjit”, theksoi Waddoups.

IKD ka rekomanduar që për palët të cilat nuk paraqiten në seanca pa ndonjë arsyetim, të lëshohen urdhëresa për sjelljen e tyre ose masa tjera siç është ajo e paraburgimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat