Shoqata e Gastronomëve e Kosovës ka kërkuar nga bizneset që të respektojnë masat antiCOVID-19, me qëllim të mundësimit të lehtësimit të masave dhe daljes më të lehtë nga kriza ekonomike si pasojë e pandemisë.
Në një postim në Facebook, gastronomet kërkojnë që t’iu ndalohet hyrja në lokal të klientëve të pa vaksinuar, të sigurohet respektimi i udhëzuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të respektohet orari i lejuar i punës.
Postimi i plotë:
Pas protestës që mbajtëm dhe pas një sërë takimesh me akterë releventë në çështjen e menaxhimit të pandemisë COVID-19, si përgjegjësi e secilit nga ne dhe e jona ndaj sektorit të gastronomisë, edhe njëherë kërkojmë nga të gjithë gastronomët respektimin strikt dhe permanent të masave kundër Covid-19.
Ne si Shoqatë e Gastronomëve të Kosovës përfaqësojmë vetëm ato biznese të cilat respektojnë Masat dhe Vendimet e Qeverisë, por natyrisht përgjigjemi për të gjithë sektorin.
Duke e ditur rëndësinë e respektimit të masave së pari në mbrojtjen e shëndetit publik, është evidente që ajo luan një rol jashtëzakonisht të madh edhe në kujdesin ndaj shëndetit ekonomik.
Pra:
Të ndalojmë rreptësisht hyrjen në lokal të klientëve të pa vaksinuar;
Të sigurohet respektimi i udhëzuesve të Ministrisë së Shëndetësisë;
Të respektohet orari i lejuar i punës.
Me qëllim që të mundësohet lehtësimi i masave dhe dalja më e lehtë nga kriza ekonomike, kërkojmë respektimin e tyre, si parakusht të vetëm që lidhet me funksionimin e nevojshëm të gastronomisë.