Mbi 17 mijë persona në Kosovë kanë marrë tashmë edhe dozën përforcuese të vaksinës anti-COVID-1 në Kosovë, ndërkaq së bashku me mbi 2 mijë të tjerë që kanë marrë dozën e tretë, ky numër shkon në mbi 19 mijë e 500 doza.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm për ditën e sotme janë administruar rreth 2 mijë 800 doza të vaksinës anti-COVID.
Ndërkaq, numri i rasteve të reja me coronavirus po shkon duke u rritur.
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, gjatë vizitës në qendrën e vaksinimit në Fushë Kosovë, dy ditë më parë, u bënë thirrje qytetarëve për të marrë dy dozat e para të vaksinës pa vonesë.
Ndërsa, qytetarëve që i kanë marrë dy dozat e para, u bënë thirrje që të marrin doza përforcuese posa të kalojnë 3 muaj nga marrja e dozës së dytë.
Në raportimin e fundit, bazuar në të dhënat e MSH-së, në Kosovë janë 997 raste aktive me coronavirus.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit 144 raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar në Kosovë.