Sindikata e Infermierëve të Kosovës së fundmi i ka adresuar sërish disa kërkesa Qeverisë së Kosovës.
Nga kjo sindikatë kërkojnë që “të rritet pagesa e ndërrimeve të natës për infermier nga 18 euro në 36 euro, të fillojë pagesa e rrezikshmërisë në punë për infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, infermierët po kërkojnë që tu paguhet puna gjatë festave dhe puna gjatë vikendit, e gjithashtu edhe puna jashtë orarit.
Ndër tjerash, kanë theksuar se gjatë vitit 2021 një numër i konsiderueshëm i infermierëve janë larguar nga Kosova. Ndërsa, pritet që shifra të shumëfishohet.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës u’a kujton Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që vetëm gjatë vitit 2021 nga Kosova janë larguar mbi 400 infermier, ndërsa gjatë këtij viti pritet që ky numër të shkoj deri në 900 infermier”, thuhet më tej në njoftim.
Ndër tjerash, kanë paralajmëruar masa sindikale në rast se kërkesat e tyre nuk realizohen duke përmendur protesta, ndërprerje dhe bojktor të punës.