Opinonisti politik Gazmir Raci ka thënë se ambasadori i ri amerikan, Jeff Hovenier, dha një sinjal të qartë se Shtetet e Bashkuara i mbështesin institucionet e vendit.
“Shumë i rëndësishëm rikthimi në dialog i Shteteve të Bashkuara, së bashku me Bashkimin Evropian. Ne kishim të kaluarën jo të largët që kishim një dallim të qëndrimeve për dialog dhe kishim një moment kur dialogu rrëshqiti në një kahje shumë negative, por fati ynë deshi që në Shtetet e Bashkuara erdhi presidenti Biden dhe kuptohet që presidenti Biden ka një interesim të veçante për Kosovën dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë lidhje të tij speciale me Kosovën, në mënyrë që të ecim së bashku me interesat tona të përbashkëta strategjike”, ka thënë Raci.
“Përcaktimi i ambasadorëve është një nga sinjalet e presidentit Biden, për shkak se dihet që ambasadori është direkt përfaqësuesi i presidentit amerikan dhe kemi përfaqësuesin Escobar nga Departamenti i Shtetit, kështu që është një kombinim i shkëlqyer i funksionimit të diplomacisë amerikane dhe në anën tjetër kemi edhe Bashkimin Evropian, në këtë rast dy fuqitë më të mëdha, Gjermania dhe Franca, që janë pjesë e këtij procesi”.
“Në takimet e para diplomatike të ambasadorit të ri në Kosovë, mes tjerash, dha edhe një porosi interesante, ku tha se pas takimit me presidenten dhe kryeministrin që Kosova është në duar të sigurta, ky është një sinjal i parë i qeverisë amerikane, përmes përfaqësuesit të tyre për përkrahje ndaj institucioneve tona”.
“Nuk janë përdorur presione për dialogun për të arritur te zgjidhjet e mundshme, krejt varet te profesionalizmi dhe përgatitja e një qeverie karshi prezantimit të qëndrimeve ndaj palës tjetër në dialog, nuk ka lloj të diplomacisë përmes presioneve”.