Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përmbyllur vizitën zyrtare dyditore në Shqipëri me nderime para shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari.
Krasniqi, bashkë me delegacionin e Kosovës, të shoqëruar nga nënkryetari i Tiranës, Andi Seferi, bashkë me ekipin e tij, bëri homazhe para shtatores së komandantit legjendar në Tiranë, nga ku i pari i PDK-së ka bërë thirrje që një e tillë të ndërtohet edhe në Prishtinë.
“Vizitën zyrtare në Shqipëri e përmbylla me nderime te shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Vepra dhe sakrifica e tij dhe e familjes Jashari për lirinë sot janë frymëzim për shqiptarët gjithandej.
Sikur kryeqyteti i Shqipërisë, që tash e sa vjet e ka shtatoren e Adem Jasharit, edhe kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, duhet ta ketë së shpejti një të tillë në qendër të saj”, ka shkruar ai.