Osmani dhe Gjukanoviq lënë të hapur mundësinë për korrigjim të marrëveshjes për kufirin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot me nderimet më të larta shtetërore, presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Dy presidentët theksuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe nevojën për thellimin e tyre.
Në vizitën e tij të parë në Kosovë, presidenti malazez ofroi mbështetjen për rrugën euro-integruese të Kosovës dhe anëtarësimin në Këshill të Evropës. Nga ana tjetër, dy homologët u shprehën të hapur për vazhdimin e diskutimeve për korrigjimet e mundshme për shënjimin e vijës kufitare, në kuadër të trupit të përbashkët teknik dhe marrëveshjes paraprake të demarkacionit. Ndërkohë, theksuan sërish kundërshtimin për iniciativën rajonale, Ballkani i Hapur.
Pas takimit mbi 1 orësh me dyer të mbyllura, presidentja, Vjosa Osmani në konferencë të përbashkët për medie me presidentin Gjukanoviq tha se diskutimet për marrëveshjen e demarkacionit do të zhvillohen në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë dhe miqësinë ndërmjet dy vendeve.
Osmani: Çdo diskutim do të zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë
“Republika e Kosovës ka ratifikuar tri dokumente në Parlamentin e saj, e para është marrëveshja dypalëshe sa i përket vendosjes së kufirit, e dyta është deklarata e përbashkët ndërmjet dy presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi dhe e treta, raporti i Komisionit Shtetëror për çështjen e kufirit. Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe do të zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë, raporteve të shkëlqyeshme miqësore dhe çështja e trupit të përbashkët teknik i cili është paraparë në deklaratën e atëhershme të dy presidentëve është një çështje teknike e cila do të realizohet përmes diskutimeve miqësore ndërmjet dy vendeve tona gjithnjë duke e vlerësuar se raportet tona të ndërsjella duhet t’i zhvillojmë vetëm duke pasur parasysh miqësinë dhe thellimin e këtyre raporteve”, tha Osmani.
Nga ana tjetër, presidenti Gjukanoviq tha se përmes punës së komisionit të përbashkët teknik do t’i krijojnë kushtet e domosdoshme për korrigjim të demarkacionit.
Kjo temë, sipas tij mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme.
Gjukanoviq: Përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime
“Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme. Ne s’dëshirojmë që të krijojmë probleme në asnjë nga adresat tona dhe jam i sigurt që do t’i përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar. Përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi që do të kontribuojë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm dhe të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve tona”, tha ai.
Në mendime të njëjta dy presidentët u shfaqën sa i përket iniciativës rajonale Ballkani i Hapur. Presidentja Osmani tha se bashkëpunimi rajonal duhet të ndodh vetëm në kuadër të Procesit të Berlinit.
Osmani: Bashkëpunimi rajonal vetëm në kuadër të Procesit të Berlinit
“Ka dëshmuar sidomos muajt e fundit që do të rezultonte me hapjen e rajonit tonë për një ndikim edhe më të madh të Rusisë andaj atë duhet ndalojmë me çdo kusht. Në vend që të përshpejtonte ecjen e shteteve tona drejt BE-së, do t’i vendoste ato në një dhomë pritje dhe rrjedhimisht do të zgjaste edhe më shumë procesin integrues. Prandaj ne si Kosovë vazhdojmë të mbajmë qëndrimin e njëjtë se bashkëpunimin rajonal e shohim si kyç, por atë do të zhvillojmë në kuadër të iniciativave tashmë ekzistuese, ku Kosova është anëtare dhe veçanti Procesit e Berlinit. Në anën tjetër, Serbia nuk mund të flet për bashkëpunim rajonal dhe raporte të mira ndër fqinjësore dhe anën tjetër të tentojnë të vendosin çdo pengesë të mundshme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës që është organizatë e të drejtave të njeriut”, potencoi ajo.
Ndërsa, presidenti i Malit të Zi tha se Ballkani i Hapur është një iniciativë e cila ka rrjedhur në një moment depresioni për vendet e rajonit dhe është komplementare në rrugën drejtë Bashkimit Evropian.
Gjukanoviq: ‘Open Ballkan’ është një iniciativë e cila ka rrjedhur në një moment depresioni
“Kjo iniciativë është krejtësisht komplementare në rrugën tonë drejtë Bashkimit Evropian, pasi është një iniciativë që nënkupton standardet evropiane të bashkëpunimit. Ne mendojmë që ‘Open Ballkan’ është një iniciativë e cila ka rrjedhur në një moment lloj depresioni që i ka kapluar vendet e rajonit dhe kanë menduar që ishte i pamundur integrimi evropian dhe se ndoshta me shkuarjen e kancelarës Merkel, integrimi evropian për Ballkanin perëndimor është duke u shuar. Por kjo nuk është e saktë dhe kjo që po ndodh ka krijuar një moment të mirë për integrimin e mëtejshëm për Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.
Gjukanoviq foli edhe për marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës, të cilat i quajti të shkëlqyera.
Gjukanoviq: Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë të shkëlqyera
“Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë të shkëlqyera, janë raporte të miqësisë të hapura me besim të fortë mes bashkëpunimit mes dy vendeve që janë të bazuara në objektiva strategjik, adaptimit të vlerave evropiane dhe përkushtimit drejt integrimeve euro-atlantike. Andaj këtë vizitë e shoh si mundësi të forcojmë besimin e ndërsjellët të hapim hapësira të reja për avancimin e bashkëpunimit ndërshtetëror”, pohoi Gjukanoviq.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Gjukanoviq tha se vetëm përmes dialogut politik mund të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse mes dy vendeve.
Gjukanoviq: Ne e mbështesim dialogun politik që ekziston mes Prishtinës dhe Beogradit
“Ne e mbështesim dialogun politik që ekziston mes Prishtinës dhe Beogradit dhe besojmë se vetëm dialogu politik mund të çojë drejtë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të obligueshme nga aspekti juridik që të ofrojë mundësi që Kosova të zhvillohet si vend demokratik”, shtoi ai.
Në vizitën e tij të parë në Kosovë, Gjukanoviq u prit në takim edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.