Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka vizituar bujqit në fshatin Opterush, prej ku ka thënë se komuna që drejton është e orientuar qartë dhe me vendosmëri i jep prioritet bujqësisë, prandaj ndihma e komunës për bujqit është gjithmonë e prekshme dhe e pranishme.
Sipas Latifit, ka disa ditë që kanë filluar korrje-shirjet në komunën e Rahovecit.
“Sot, së bashku me zyrtarët e Drejtorisë për Bujqësi, disa bujq e me kryetarin e shtabit për korrje-shirje në Opterushë Hamdi Mazrekun, dolëm në arat e fshatit ku po korrej gruri. U ndava i gëzuar që bujqit e komunës sonë, përkundër se në kohë të vështira, me rritje çmimesh të farërave, karburanteve e preparateve të nevojshme që nga mbjellja e grurit e deri te korrja, megjithatë po i mbledhin rezultatet e mundit dhe djersës së tyre.
Komuna e Rahovecit është e orientuar qartë dhe me vendosmëri i jep prioritet bujqësisë, prandaj ndihma e komunës për bujqit është gjithmonë e prekshme dhe e pranishme. Politikat tona për përkrahjen e bujqësisë, do të intensifikohen muajve e viteve në vijim”, ka shkruar ai.