Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë do të prezantojë raportin e fundit tematik për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Raporti pasqyron në hollësi kornizën ligjore, administrative dhe të politikave në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si dhe analizon ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet çështjeve të mbrojtjes së trashëgimisë, sigurisë, infrastrukturës dhe planifikimit hapësinor.
Ai përmban disa rekomandime për institucionet dhe agjencitë kryesore lidhur me ruajtjen e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.
Ky raport tematik është vazhdimësi e raportit “Sfidat në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të paluajtshme materiale në Kosovë” të hartuar nga OSBE në vitin 2014.
Në këtë organizim do të mbajnë fjalë rasti Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe Kryetarja e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, znj. Zanita Halimi, pasuar nga një prezantim i shkurtër i raportit dhe seancë pyetjesh e përgjigjesh.