Naser Lajqi nga organizata “Syri i vizionit” tha se shkollat në Kosovë hezitojnë të raportojnë rastet e dhunës.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë emisionit “Ditari” ku foli për fushatën “Unë kam ligj që më mbron” që është organizuar sot për të mbrojtur fëmijët dhe të drejtat e tyre.
Lajqi thotë se fushata ka për qëllim ndërgjegjësimin e publikut dhe ndërgjegjësimin e institucioneve dhe rritjen e përgjegjësisë së tyre në implememtin e ligjit për mbrojtjen e fëmijës.
Me këtë rast ai tha se shkollat në Kosovë hezitojnë dhe nuk i raportojnë rastet e dhunës.
“Në qoftë se shohim statistikat e policisë, ato statistika nuk na përputhen me statistikat që kanë drejtoritë e arsimit apo Ministria e Arsimit siç e dini e ka protokollin qeveritar për parandalim dhe referim të dhunës dhe shohim që shkollat hezitojnë t’i referojnë apo raportojnë rastet e tilla konform këtij protokolli”, tha ai.
I pyetur se pse shollat i fshehin këto statistika, Lajqi thotë se këtë e bëjnë në mënyrë mos ta marrin epitetin e shkollave të dhunshme.
“Nga debati që ne kemi pasur me shkolla ka qenë arsyeja se në qoftë se ne i raportojmë këto raste, atëherë është frika që shkolla e tyre po e merr epitetin e një shkolle si një shkollë e dhunshme, si një shkollë që nuk ka siguri për fëmijë”, tha ai.
Fushata sensibilizuese “Unë kam një Ligj që më mbron” është organizuar nga Organizata “Syri i Vizionit” në partneritet me organizatën “Save the Children” në Kosovë dhe në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka për qëllim promovimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i hyrë në fuqi dy vite më parë.