Agjencia Kosovare e Privatizimit ka shpallur listën përfundimtare të punëtorëve të cilët i kanë plotësuar kriteret për përfitimin e 20% nga privatizimi, likuidimi dhe shpronësimi i ndërmarrjes shoqërore ‘Rilindja’.
Megjithatë, kjo ka ngjallur reagime dhe mospajtime të shumta nga ish-punëtorët të cilët nuk janë në këtë listë. AKP thotë se çdo veprim i tyre ka qenë ligjor. Afati i fundit për ankesë në Dhomën e Posaçme ndaj kësaj liste ka qenë data 13 tetor.
Skënder Zogaj, i cili për më shumë se 22 vjet ka punuar si gazetar në të përditshmen “Rilindja”, nuk është në mesin e punëtorëve që do të përfitojnë një pjesë të të hyrave prej 20% nga privatizimi/likuidimi/ shpronësimi i Ndërmarrjes Shoqërore “Gazeta Rilindja”. Ai thotë se lista përfundimtare e publikuar nga AKP-ja, është e papranueshme. Zogaj thotë se është ankuar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe pret që aty të fitojë drejtësia.
RTK ka pyetur AKP-në se pse Zogaj nuk është në listën e përfituesve. Ata nuk kanë treguar arsyen për një gjë të tillë, por vetëm kanë treguar se Zogaj nuk është ankuar në AKP.