​Nisin punimet në infrastrukturën nëntokësore në zgjerim të rrugës nga Gjakova drejt Pejës

Kosova

​Nisin punimet në infrastrukturën nëntokësore në zgjerim të rrugës nga Gjakova drejt Pejës

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 16:52
Ardian Gjini

Me rastin e fillimit të punimeve në infrastrukturën nëntokësore në zgjerim të rrugës nga Gjakova drejt Pejës, kryetari Ardian Gjini është shprehur i lumtur që pas një kohe të gjatë ka filluar puna në këtë rrugë.

Ai ka thënë se vlera e kësaj rruge është një milion euro dhe se i gjithë fondi është ndarë nga Komuna e Gjakovës.

Gjini: Është njëra ndër rrugët më të rëndësishme në Komunën e Gjakovës

"Jam shumë i lumtur, është njëra ndër rrugët më të rëndësishme në Komunën e Gjakovës. Jemi në dijeni që puna është shumë komplekse puna për shkak se ka shumë instalime nëntokësore, do të futen edhe kabllot, të gjitha nëntokë. Është një vlerë një milionëshe për fazën e parë, kjo është faza parë, sepse do të vazhdojmë edhe vitin tjetër dhe viteve në vijim derisa të përfundon plotësisht. Kjo rrugë në këtë format ka nisur në vitet tetëdhjeta, pra jemi për një kohë tepër të gjatë që ka mbetur ashtu, por po i vjen fundi. Do të jetë një hyrje e jashtëzakonshme në Komunën e Gjakovës. Faza tjetër do të vazhdojë edhe për gjatë rrugës "Dardania", do të thotë do të përfundojë komplet, janë fonde të komunës", tha Gjini.

Kryetari Gjini tha se faza e parë është asfaltimi i dy korsive të kësaj rruge dhe vazhdimi deri te gjykata, e cila sipas tij do të përfundojë këtë vit. Ndërsa ai tha se pjesa tjetër do të përfundojë vitin e ardhshëm, derisa shtoi se aty ka shpronësime dhe disa rrënime, për të cilën tha se janë të njoftuar edhe banorët.

Me këtë rast, kryetari Gjini përmendi edhe një lajm tjetër për qytetarët e kësaj Komune. Ai tha se në këtë komunë, nesër do të fillojë edhe sanimi i rrugës nga gjykata deri te zjarrfikësit, e cila sipas tij ka mbetur në një gjendje jo të mirë.

Gjini: Do të fillojë edhe sanimi i rrugës prej gjykatës e deri te zjarrfikësit

"Edhe sanimi i rrugës prej gjykatës e deri te zjarrfikësit që ka mbetur keq do të fillojë nesër. Tash i kemi kontratat dhe do të vazhdojmë shumë shpejtë me këtë", tha kryetari Gjini.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat