Policia e Kosovës me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor, në vazhdimësi ka zhvilluar aktivitete e angazhime të ndryshme në terren, përmes planifikimeve operative, patrullimeve të shtuara, në mënyrë që në formë preventive të ndikojë në parandalimin e shkeljeve në trafik, si dhe reduktimin aksidenteve rrugore në përgjithësi.
Bazuar në raportet analitike dhe gjendjen e sigurisë në trafik, për periudhën kohore janar-shtator 2021/2022 Policia e Kosovës ka intensifikuar angazhimet e saj dhe aktivitetet policore janë rritur mbi 40%, ku si rezultat i këtyre angazhimeve ka një rënie të numrit të aksidenteve fatale dhe të numrit të personave të vdekur nga aksidentet në rrugë.
Gjatë kësaj periudhe (janar-shtator 2022) janë evidentuar 10 aksidente fatale më pak, me 12 persona më pak te vdekur në aksidente rrugore se sa vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.
Policia e Kosovës apelon të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të respektojnë rregullat e përcaktuara sipas ligjeve të aplikueshme për trafik në mënyrë që të ndikojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë rrugore për të gjithë.