UN Women nënshkruan memorandum bashkëpunimi me 15 komuna të Kosovës

Kosova

UN Women nënshkruan memorandum bashkëpunimi me 15 komuna të Kosovës

Më: 1 nëntor 2022 Në ora: 16:43
Foto ilustrim

Zyra e UN Women në Kosovë, përmes një ceremonie zyrtare në Prishtinë, të martën ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me kryetarët e 15 komunave të Kosovës për avancimin e barazisë gjinore në nivel lokal.

Memorandimi i bashkëpunimit parasheh mbështetje të zyrës së UN Women në Kosovë për komunat respektive në integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha programet e nivelit lokal, fuqizimin e kapaciteteve të administratës për përmbushjen e kërkesave që dalin nga Ligji për Barazi Gjinore dhe avancimin e proceseve të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor.

Ky bashkëpunim është iniciuar në kuadër të projektit “Financimi Transformativ për Barazi Gjinore në Ballkanin Perëndimor”, program regjional i financuar nga SIDA dhe që implemetohet në Kosovë nga viti 2020, ndërkaq edhe në vendet e rajonit Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi. 

Komunat nënshkruese janë: Gjakova, Peja, Prizreni, Podujeva, Ferizaj, Gjilani, Mitrovica, Lipjani, Hani i Elezit, Vitia, Klina, Kamenica, Dragashi, Vitia dhe Suhareka. 

Kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave respektive, përmes këtij memorandumi hyjnë në partneritet të ngushtë me UN Women, zyra në Kosovë për t’i quar përpara agjendat e barazisë gjinore për një shoqëri më të barabartë për burrat e gratë, djemtë dhe vajzat. 

Vlora Tuzi Nushi, drejtore e zyrës së UN Women në Kosovë, në fjalën e saj hapëse tha se prania e nivelit politik në këtë ceremoni e dëshmon dedikimin karshi përmbushjes së agjendës së barazisë gjinore. 

“UN Women për vjet me radhë i ka ofruar mbështetje nivelit lokal përmes asistencës teknike në krijim të mekanizmave dhe në të kryerit e analizave gjinore për t’i adresuar nevojat e grave dhe burrave dhe po ashtu ka marrë mbështetje të pakusht nga zyrtarët komunalë në të gjitha proceset dhe kjo ceremoni është kurorëzim i punës sonë”. 

Prezent në ceremoni, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se arritja e barazisë së plotë në mes burrave dhe grave mund të bëhet përmes ndarjes së barabartë të buxhetit dhe se çdo institucion buxhetor duhet të bëjë Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor. 

“Mënyra se si alokohen shpenzimet publike, mund të kontribuojë në zvogëlimin e pabarazive gjinore brenda një shoqërie. Hulumtimet, studimet dhe analizat ndërkombëtare tregojnë se barazia mes burrave dhe grave çon në rritje dhe prosperitet ekonomik”. 

Në anën tjetër, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund u shpreh i lumtur që po sheh rezultate dhe përparim në Kosovë dhe që SIDA do të vazhdojë edhe më tutje me përkrahje për projektet që kanë për fokus të drejtat e njeriut e të grave. 

“Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim – SIDA, është mbështetëse tash e një kohë për UN Women në avancimin e barazisë gjinore përmes promovimit të BPGJ-së në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kosova po bën përpjekje të mëdha për reforma dhe ne jemi këtu për t’ju mbështetur”. 

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, u shpreh se institucionet duhet të punojnë fort për t’i zbehur pabarazitë dhe t’iu ofrojnë grave mundësi për punësim e zhvillim edhe përmes Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor. 

“Jemi mbledhur këtu për të diskutuar për angazhimin në fushën e barazisë gjinore, prandaj unë do t’ju shoh si agjentë tejet të rëndësishëm të ndryshimit, të ndryshimit që është tejet i nevojshëm. Përderisa nuk bëjmë ndryshime sa i përket barazisë gjinore, asnjë nga fushat e tjera të zhvillimit të qëndrueshëm nuk do të ketë sukses”. 

Ndërkaq, Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, deklaroi se UN Women ka bërë punë të mirë me Komunat e Kosovës dhe se për të ishte kënaqësi për të ishte prezent në një ceremoni që e kurorëzon këtë bashkëpunim strategjik. 

“Ka pasur një bashkëpunim të mirë në mes Komunave të Kosovës dhe UN Women. Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor është kërkesë ligjore dhe duhet të përmbushet. Po ashtu Granti i Performancës për komunat ka një indikator që e vlerëson edhe barazinë gjinore dhe përfitimi është i shumëfishtë”. 

Ndërkaq Ermira Lubani, Menaxhere Regjionale e Programit për BPGJ, deklaroi se përfshirja e nivelit lokal në procesin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor është kyçe për ta arritur barazinë gjinore. 

“Buxheti është instrumenti më i rëndësishëm i qeverisjes lokale dhe është mënyra sipas të cilës qeveritë i alokojnë resurset për t’i implementuar politikat e veta. Buxheti po ashtu është një indikator që tregon se deri në çfarë mase qeveria ka ndjeshmëri gjinore dhe vlerës që i jep parimit të barazisë gjinore”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat