Kosova merr pjesë në takimin e Grupit Punues për Njohjen e Kualifikimeve Akademike të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë.
Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna ka marrë pjesë në takimin e Grupit Punues për Njohjen e Kualifikimeve Akademike të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, ku bashkë me drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi dhe drejtoren e Qendrës për Njohjen e Diplomave NARIC Kosova, Kumrije Gagica, po përfaqësojnë Kosovën.
Delegacioni i Kosovës ka kontribuar në zhvillimin e dy iniciativave rajonale në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (Regional Cooperation Council - RCC): njëra për zhvillimin e Programit të Përbashkët Master në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, dhe tjetra iniciativë lidhet me krijimin e Databazës së Përbashkët Rajonale për Njohjen e Diplomave.
Këto iniciativa pasojnë nënshkrimin e suksesshëm të tri marrëveshjeve që dalin nga Procesi i Berlinit nga kryeministrat e gjashtë vendeve të përfshira. Dy nga këto marrëveshje, lidhen direkt me fushën e arsimit dhe pritet të përmirësojnë dukshëm mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit.
Marrëveshja e arsimit të lartë siguron që diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe të mobilitetit në rajon.
Ndërsa, marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët, dentistët dhe arkitektët, mundëson që këto profesione të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Iniciativat e reja rajonale të Grupit Punues të diskutuara në Sarajevë pritet të zhvillohen gjatë muajve në vijim.