Akademia e Shkencave ka mbajtur mbledhje përkujtimore për akademiken Edi Shukriu e cila u nda dje nga jeta.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja tha se me shkuarjen në mashim të Edi Shukriut, nuk ka humbur vetëm familja e saj, por edhe vet Kosova do të jetë më e varfër.
“Nga sot do të jemi më të varfër, jo vetëm për një arkeologe të shkëlqyer, historiane, profesoreshë, shkrimtare, poete e dramaturge, por do të jemi më të varfër edhe për një miqësi të sinqertë, për një personalitet të veçantë që kishte mprehtësinë e observimit intelektual e cila ishte mënyra e saj e të menduarit dhe gjykuarit”, tha akademik Kraja.
“Edi do ju mungojë të gjithëve, edhe atyre që e donin më shumë dhe atyre që e donin më pak”.
Në fjalën e saj, Gjyljeta Mushkolaj, Sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, derisa kujtoi figurën e saj Shukriut, e vlerësoi si një person me vlera të mëdha.
E nga ana e saj, Valtida Shukriu, mbesa e Edi Shukriut, kujtoi disa nga fjalët dhe poezitë e arkeologes.
Ajo tha se Edi Shukriu nuk është ndalur duke qenë këmbëngulëse për emancipim e barazi mes popujve e gjinive.
“Sot nuk ka diçka më adekuate sesa fjala e saj për te kujtuar detyrën që ka shoqëria dhe mbi të gjitha intelektualja karshi çështjeve publike, etike e politike, brenda dhe jashtë Universitetit”, tha Shukriu.
Varrimi i të ndjerës do të bëhet sot në orën 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.