Dje në qytezën e Dragashit ishte mbledhur i madh e i vogël për ta kremtuar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Manifestim qendror me një seancë solemne, ku kryetari i komunës Bexhet Xheladini ka theksuar: Sot kremtojmë një ditë të veçantë, Krye-festën e Kosovës, Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës të shpallur me 17 shkurt 2008.
Kjo është një ditë që na bën krenarë për luftën dhe sakrificat e popullit tonë në shekuj.
Është një ngjarje që na bën të ndihemi mirënjohës pafund për Dëshmorët e Kosovës, për komandantin legjendar Adem Jasharin dhe familjen e tij, për luftëtarët e UÇK-së, për aleatet dhe miqtë tonë si: SHBA, Gjermani, Turqi, Angli, Francë dhe shtetet tjera demokratike evropiane, për trimat dhe personalitetet e ditura që pavarësuan Kosovën në një prej periudhave më të vështira të ekzistencës dhe të historisë së saj.
Dita e Pavarësisë së Kosovës dëshmon se populli ynë dhe bijtë e tij më të mirë luftuan me pushkë dhe penë, me armë dhe kulturë, me gjak dhe dituri.
Për të vazhduar, Kosova është atdheu ynë i dashur dhe i bekuar, me bukuritë natyrore, me pasuritë e konsiderueshme dhe me energjitë dhe talentin e jashtëzakonshëm njerëzor.
Shpresa dhe entuziazmi na nevojiten sërish më tepër se kurrë për motivimin dhe ngjalljen e energjive të reja dhe më pozitive drejt të ardhmes Evropiane të Kosovës.
Integrimi i Kosovës në familjen evropiane është një mision ende i papërmbushur për shtetin më të ri të botës - Kosovën.
Shpresën dhe entuziazmin e mbajnë gjallë forcimi i bashkëpunimit dhe unitetit kombëtar; e ushqejnë hapat e shpejtë dhe të sigurt drejt liberalizimit të vizave për kosovarët si dhe hapjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në BE.
Dhe krejt në fund Bexhet Xheladini kishte një dëshirë për përvjetorin e 16 të Pavarësisë së Kosovës, se: “Ishallah përvjetorin tjetër Republika e Kosovës do të jetë një shtet i zhvilluar ekonomikisht dhe i integruar në familjen e Madhe Evropiane, e cila gjë do të jetë burim krenarie dhe frymëzimi për të gjithë bashkëkombësit tanë kudo në botë”.
Po ashtu ishte organizuar edhe një program shumë i pasur kulturo – artistik si dhe turnire sportive.