KEDS-i fajëson Komunën e Lipjanit, për mosrregullimin e daljeve në Sllovi dhe Konjuh

Kosova

KEDS-i fajëson Komunën e Lipjanit, për mosrregullimin e daljeve në Sllovi dhe Konjuh

Më: 19 shkurt 2023 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

KEDS-i ka fajësuar Komunën e Lipjanit, për mosrregullimin e daljeve nëntokësore në fshatrat Sllovi dhe Konjuh, duke thënë se për shkak të moslejes nga komuna për të prerë asfaltin, diçka që është e domosdoshme për të rregulluar daljet nëntokësore, nuk po mund të bëhet sanimi.

”Të dy daljet janë nëntokësore  për çka nevojitet prerje e asfaltit për ti rregulluar. Fatkeqësisht, Komuna e Lipjanit nuk po jep leje që ato të sanohen, duke bërë që mbi 3 mijë konsumatorë të mbesin pa energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Kompania tha se është e gatshme të intervenojë dhe ti sanojë ato, në momentin që të merr lejet përkatëse.

“Daljet janë prishur nga mingarkesat. Fillimisht ishte prishur një pjesë e daljes së Konjuhit, para rreth një muaji. Komuna nga atëherë nuk ka dhënë leje për intervenim. Për të mos i lënë konsumatorët pa energji në pikun e dimrit, KEDS e kishte transferuar furnizimin e tyre në dy dalje tjera. Por, për shkak që komuna nuk dha leje kohë të gjatë, kjo ka bërë që të mbingarkohet edhe dalja e Sllovisë, duke u shkaktuar prishje edhe aty. Tash, komuna nuk po jep leje për asnjërën që të sanohet”, thuhet tutje në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat