Ishte i ftuar në një emision për të folur rreth raporteve Kosovë – Turqi.
Teologu Mustafë Bajrami, kishte thënë se “Turqia është shtet mik i shqiptarëve”.
E kjo deklaratë e Bajramit, duket se nuk i kishte pëlqyer dikujt, i cili e ka kërcënuar me jetë përmes komenteve në Youtube.
Kërcënimi e kishte shqetësuar teologun, i cili e denoncoi rastin në polici.
Mustafë Bajrami, tha në Info Magazine se kjo nuk është hera e parë që dhe familja e tij kërcënohen.
“E kam marrë seriozisht për shkak se personi i cili fshihet pas adresës në kanalin e tij në Youtube, ka mbi 5 mijë subsribes. Thirrjen e tij për vrasjen dhe likuidimin tim fizik e kam bërë serioz, më ka shqetësuar, ka shqetësuar familjarët e mi, aq më tepër prindërit e mi që i kam gjallë dhe janë të një moshe të shtyer”, tha Bajrami.
“Nuk është hera e parë që unë kërcënohem me jetë, e me familje e me fëmijë. Ato nuk i kam marrë aq serioze sa kësaj radhe, andaj edhe kam reaguar me kohë duke u bazuar në këshillin e zyrtarëve të shtetit, se rasti është i një rrezikshmërie të konsideruar dhe e kam lajmëruar rastin me polici. Policia është duke punuar me aq sa kam kohë”, theksoi ai.