Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar të martën se është nënshkruar kontrata për ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Dumosh.
Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi ka thënë se vlera e kontratës është 560 mijë euro.
“Është nënshkruar kontrata për ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Dumosh, në vlerë prej 560 mijë euro”, ka shkruar ai, duke shtuar se projekti do të financohet në tërësi nga buxheti komunal.
Kryetari i Podujevës tutje ka bërë të ditur se punimet për ndërtimin e kësaj shkolle do të fillojnë brenda pak ditësh.
“Angazhim maksimal deri në realizimin e secilit projekt të premtuar para qytetarëve. Punë të mira e projekte të mëdha e presin Llapin!”, ka përfunduar Bulliqi.