Një numër i aplikantëve në konkursin për pozitat Zyrtar Administrativ, Punëtor Administrativ dhe Recepsionit në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar (ShSKUK), nuk kanë arritur t’u nënshtrohen testit me shkrim gjatë të mërkurës.
Kjo për shkak të një konfuziteti teknik sa i përket orës së publikuar në njoftimin zyrtar për këtë fazë testuese.
Sipas një aplikanteje, për njërën nga këto pozita thotë se testin e kanë humbur rreth 50 vetë për shkak se kanë menduar që testimi do të zhvillohet në orën 13:30, ani se thirrja për test është bërë në orën 11:30, kjo për shkak të një paqartësie teknike.
Konkurrentët druajnë se nuk do t’u mundësohet testi me shkrim dhe kërkojnë që kjo e drejtë të mos u mohohet.
Media ka kontaktuar me zyrtarin e zyrës së personelit, Ismet Berisha, i cili ka thënë se përsëri do të zhvillohet testi me shkrim, përfshirë edhe atë pjesën që është testuar në orët e paradites, të cilët do të përsërisin, teksa punën e njoftimit zyrtar e ka arsyetuar si problem teknik gjatë shtypjes së dokumentit.