​Në ditën e fëmijëve, përurohet edhe një çerdhe në Ratkoc të Rahovecit

Kosova

​Në ditën e fëmijëve, përurohet edhe një çerdhe në Ratkoc të Rahovecit

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 12:30
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, është përuruar edhe një çerdhe për fëmijë në Ratkoc të Rahovecit. Kjo çerdhe ka kapacitet për rreth 180 fëmijë, objekt i cili ka kushtuar më shumë se 508 mijë euro.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi tha se përurimi i një çerdheje është vepër e mirë, meqë fëmijët janë e ardhmja e vendit.

"I uroj të gjithë fëmijët në rastin e ditës ndërkombëtare të fëmijëve, pra 1 qershorin. E di që janë të gëzuar dhe e di qe duhet të jenë të gëzuar çdo ditë, jo vetëm me 1 qershor. Sot është lajm i mirë qe po e përurojmë edhe çerdhen e fëmijëve këtu në Ratkoc. Nga Krusha erdhëm në Ratkoc për ta përuruar edhe ketu çerdhen për fëmijë... Përurimi i një çerdheje është vepër e mirë, është vepër e rëndësishme jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë ne. Sepse këta janë e ardhmja jonë", ka thënë Latifi.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Rahovecit, Avni Morina ka thënë se çerdhja përmban dy mensa, dhomë gjumi me 27 shtretër, zyrën e mjekut, psikologut dhe të udhëheqësve të saj.

"Vlera për ndërtimin e këtij objekti të çerdhes është 508 mijë, e 260 euro e 43 cent. Kjo çerdhe përmban 3 klasa për grupmoshat 2 deri në 3 vjeç, me gjithsej 82 fëmijë. Katër klasa për grupmoshat 4 deri në 5 vjeç, me gjithsej 94 fëmijë. Kur i mbledhim së bashku, i bie që në këtë çerdhe mund të sistemohen sipas grupmoshave 176 fëmijë, prej moshës nëntë mujore deri në pesë-vjeçare", ka njoftuar ai.

Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit për furnizim me inventarë.

"Këto ditë po e presim furnizimin me inventarë të tri çerdheve, për të cilat e ka detyrë Ministria e Arsimit. Qysh nga prilli i vitit të kaluar, drejtoria komunale për arsim dhe komuna jonë kemi adresuar kërkesën me të gjitha specifikat e nevojshme për pajisje e këtyre çerdheve me kuzhinë, shtetër, me banka, karrige dhe gjithë inventarin e nevojshëm për furnizim që duhet për t'i vënë në funksion këto çerdhe. Po presim gjatë këtij muaji, të paktën ashtu na është thënë nga Ministria e Arsimit, që të bëhet furnizimi me inventarë dhe sapo të kompletohet ne do të jemi të gatshëm të fillojmë me funksionalizimin e kësaj çerdhe", ka shtuar ai.

Ai ka thënë se kanë hapur konkurs për 16 edukatore për çerdhen në Krushë të Madhe, Xërxë dhe Ratkoc.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat