Dje deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Metaj Isufi postoi në rrjetin e saj në Facebook se “Problemi i mësimit në katër ndërrime, me orë mësimore 25-minutëshe në shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj, do të marrë fund, pasiqë Qeveria Kurti ka ndarë mjetet për ndërtimin e një aneksi shtesë në ish “Shaban Hashani” me qëllim të shtimit të dhomave të mësimit dhe krijimit të hapësirave të nevojshme për mësim”.
Nga komuna kundër reaguan duke thënë se deputetja Metaj-Isufi dha deklarat të paskat, të pavërteta dhe të paqëndrueshme dhe e shpërfaqin edhe një mungesë njohuri themelore mbi këtë çështje.
Sipas komunës ky projekt është ideuar, implementuar dhe hartuar e financuar nga buxheti i Komunës së Ferizajt dhe se “fare nuk ka të bëj me përkrahje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, madje, shpeshherë roli i saj ishte pengues jo vetëm për këtë projekt por edhe projekte të tjera në fushën e arsimit”.
Reagimi:
SQARIM PËR QYTETARËT
”Ditën e djeshme, Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Metaj Isufi, përmes profilit të saj në rrjetin social “Facebook” lansoi informacion të pavërtetë mbi investimin në ish objektin e shkollës “Gjon Serreçi” si dhe për rrjedhojë edhe punën me ndërrime në këtë institucion arsimor.
Ajo në deklarimin e saj publik u shpreh se: “Problemi i mësimit në katër ndërrime, me orë mësimore 25-minutëshe në shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj, do të marrë fund, pasiqë Qeveria Kurti ka ndarë mjetet për ndërtimin e një aneksi shtesë në ish “Shaban Hashani” me qëllim të shtimit të dhomave të mësimit dhe krijimit të hapësirave të nevojshme për mësim”. Madje, për më tepër, thelluar në këtë të pavërtetë, deputetja Metaj Isufi, shprehet se “Zgjidhja paska qenë e mundur”, “Vetëm është dashur angazhim serioz dhe punë me përkushtim që të marrë fund diskriminimi ndaj mësimdhënësve dhe fëmijëve të kësaj shkolle” deklarimet këto që përveç të pasakta, të pavërteta e të paqëndrueshme, shpërfaqin edhe një mungesë njohuri themelore mbi këtë çështje, duke e bërë subjektin deklarues, joserioz e madje qesharak".