Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, i është kundërpërgjigjur deklaratave të kryetarit të PDK-së të degës në këtë komunë, Mevludin Mazreku, i cili tha se në Malishevë ka qeverisje të fasadave, dhe projekte sa për një foto.
Kastrati lidhur me këto deklarata tha se punët që i realizojnë i promovojnë dhe kjo i pengon opozitën në Malishevë.
“Ndoshta ju pengon kur ne realizojmë projekte, sigurisht që i promovojmë projektet tona sepse është detyrë e jona që t’i implementojmë dhe në fund t’i promovojmë bashkë me qytetarët, t’i shohim rendësit dhe efikasitetin e këtyre projekteve”, tha ai.
Kastrati nga radhët e Nismës Socialdemokrate tha se sot në Malishevë asgjë nuk bëhet për fasada të gjitha janë projektet të rëndësishme.
“Këtë promovim nuk duhej parë duke prerë shiritin apo si fasadë, por si rezultat i një pune goxha të mundimshme, goxha sfiduese e që do të duhej të merrnim komplimente apo të marrim fjalë të mira për punën që po e bëjmë, sepse asgjë sot nuk bëhet për fasada të gjitha janë projekte jashtëzakonisht të rëndësishme. Projektet nuk kanë vetëm fasadë, por kanë shumë infrastrukturë, rrugore, nëntokësore, edhe ujërave të zeza”, shtoi ai.