Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit E.A., i cili u arrestua për afro 60 kilogramë drogë, në Skenderaj.
Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi.
“Po, ndaj të njëjtit Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, tha Veliqi.
Caktimi i masës së paraburgimit ndaj E.A është bërë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, me arsyen se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kërkesë për caktimin e paraburgimit kundër të dyshuarit E.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar narkotikeve substancave psikotrope apo analoge“ nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.9 të KPRK-së”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit E.A gjatë ditës së djeshme pas një aksioni të Policisë së Kosovës iu janë gjetur në shtëpinë e tij dhe në objekte përcjellëse rreth 60 kilogramë marihuanë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari E.A., prej datës të pacaktuar e deri me datë 15.08.2023 në fshatin Vajnikë – komuna e Skenderajt, në shtëpi dhe objektet përcjellëse, me qëllim shitje apo shpërndarje, pa autorizim ka poseduar substanca narkotike të llojit marihuanë, me peshë të tërësishme prej 59 kilogramë e 973 gramë”, thuhej më tej.