Nxënësit shembullorë ndërprenë mësimin pasi komuna ua ndali transportin

Kosova

Nxënësit shembullorë ndërprenë mësimin pasi komuna ua ndali transportin

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 19:50
Nxënësit

Çantat i kanë në krahë, por automjeti që i merrte zakonisht për t’i dërguar në shkollë nuk po vjen më.

Këta dy nxënës që jetojnë në thellësi të fshatit Gumnishtë të Vushtrrisë, janë në klasën e tretë, por rastet që kanë mësuar në shkollë janë të rralla që nga 1 shtatori.

Prandaj, mësimet po i bëjnë në shtëpi. Dy vitet paraprake transportin ua kishte mundësuar komuna e Vushtrrisë, por këtë sivjet e ka ndërprerë atë.

Babai i nxënësve, Selman Ismajli po thotë që vet e ka të pamundur t’i dërgojë çdo ditë ata në shkollë.

“Sivjet janë dal në klasë të tretë, nuk është duke i bartë kërkush, unë kushtet nuk i kam me i bartë, mundësitë nuk i kam. Ti po e sheh edhe vet rrugën si e kanë lënë këndej, dy banorë jemi këtu, përmbi 10 anëtarë jemi”, ka thënë Selman Ismajli – Prind.

Ndërprerjen e transportit, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi e arsyeton me koston e madhe. Ai thotë se kjo i ka detyruar që prindit t’i ofrojnë një zgjidhje tjetër.

“Unë i kam thënë prindit me dërgu një kërkesë edhe me i ndihmu me mjete sepse po nuk po mundemi me kontraktu një operator sepse është kostoja tepër e madhe me çu atje, me ia bajt fëmijët, e i kam thanë prindit nëse e merr t’i përsipër me i bartë, ne t’i mbulojmë shpenzimet e derivateve”, ka deklaruar Ferit Idrizi – Kryetar i Vushtrrisë.

Por, prindi Ismajli thotë se komuna po e neglizhon rastin e tij.

“Jam kanë në komunë, te kryetari, m’ka thanë po po edhe si të dal kurgjo hiç, nuk më marrin parasysh. Jam kanë edhe tek drejtori i shkollave që është, edhe te ai dy-tre herë, ma kanë marrë numrin e telefonit, as nuk më kanë thirrë as sen të Zotit”, ka përfunduar Selman Ismajli – Prinda.

Rruga që të çon tek lagjja e fshatit ku jetojnë dy nxënësit është mjaftë e vështirë, ndërsa nga atje, shkolla “Anton Zako Çajupi” është larg rreth 15 kilometra.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat