Humanity First Germany për disa vite me radhë është duke përmbyllur me sukses projekte në komunën e Kamenicës. Të mërkurën më datë 18 tetor 2023, në objektin e shkollës fillore “Skënderbeu” në fshatin Hogosht, komuna e Kamenicës, kjo organizatë financoi furnizimin me inventar dhe material për mësim veror ndërsa e zbatimin e mundësoi Ahmadiyya Muslim Jamaat Kosovo.
Gjatë përurimit morën pjesë drejtori i kësaj shkolle z. Arsim Guda, drejtori i Arsimit i komunës së Kamenicës z. Afrim Dërvishi i cili në emër të kryetarit të komunës së Kamenicës z. Kadri Rahimaj, uroi dhe falënderoi për këtë projekt që po përmbyllet suksesshëm, zyrtari për arsim i kësaj komune z. Ramadan Guda, nxënësit, mësimdhënësit dhe stafi shkollor i ShFMU “Skënderbeu”, përfaqësues nga KFOR-i Amerikan, përfaqësuesi i Ahmadiyya Muslim Jamaat Kosovo, përfaqësuesi dhe vullnetarët e Humanity First si dhe përfaqësuesi i OJQ BanZa. Përfitues të këtij projekti do të jenë rreth 180 nxënës si dhe mbi 40 mësimdhënës dhe staf shkollor.
Përurimi i inventarit përfshinte inventari në zyren e drejtorit, zyren e administratorit të shkollës, zyren e psikologut të shkollës, zyren e arkivit, sallën e kabinetit dhe verandën në oborrin e shkollës.
Në pjesën e dytë të këtij përurimi, u përmbyll me sukses edhe aktiviteti i nxënësve të kësaj shkolle kushtuar Ditës së Paqes me temën “Paqja fillon me mua”. Ky aktivitet u organizua nga Ahmadiyya Muslim Jamaat Kosovo dhe falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm në mes organizatës Humanity First, shkollës fillore “Skënderbeu”, KFOR-it Amerikan dhe OJQ BanZa. Nxënësit e kësaj shkolle bënë përpjekje për të përjetuar vlerat e paqes përmes fjalëve dhe vizatimeve. Ata janë sfiduar të shkruajnë ese dhe të bëjnë vizatime mbi temën Paqja fillon me mua. Nxënësit kanë shprehur mendimet dhe ndjenjat e tyre për rolin që secili prej tyre mund të luaj në ndërtimin dhe mbajtjen e paqes në botë. Mesazhet e këtyre eseve dhe vizatimeve kanë karakter frymëzues.
Juria e përbërë nga përfaqësuesit e KFOR-it amerikan që janë miq të Ahmadiyya Muslim Jamaat: Daniel S. Leslie MAJ (OF-3), CH, USA dhe Gabriel Valadez SSG (OR-6), USA, kanë bërë përzgjedhjen e finalistëve të kësaj gare, ndërsa dhuratat për vendin e parë, të dytë dhe të tretë në vizatim dhe ese u dhuruan nga Ahmadiyya Muslim Jamaat Kosovo. Në fund të këtij aktiviteti humanitar dhe artistik u shpërndanë mirënjohjet për të gjithë përfaqësuesit që bënë të mundur mbarëvajtjen e këtij eventi, si dhe me një koktej rasti për të gjithë të pranishmit.
Në përfundim po paraqesim disa fragmente nga eseja fituese e aktivitetit “Paqja fillon me mua”: “Njerëzit që nuk janë të lirë, vuajnë, sepse u mohohet e drejta e lirisë, fjalës, dhe më kryesorja e drejta e shkollimit... Për të qenë në paqe, më së pari duhet dhuruar respekt, dashuri dhe të lirohen nga këto padrejtësi. Po ashtu edhe në mes shteteve duhet të ketë paqe dhe të gjitha këto që përmenden më lart, e atëherë do të jemi në paqe të përhershme, dhe demokracia është pjesë e paqes ku gjithçka kryhet me rregull dhe funksionon në formë të paqes. Dhe për çdo shtet ku janë të luftë - të ketë paqe, të jenë të lirë. Kur kemi paqen shpirtërore atëherë kemi gjithçka, më shumë se një qetësi e rehati shpirtërore nuk duhet asgjë.”