Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shqiptuar gjobë prej 800 euro mbrojtësit të të akuzuarit Remzi Jahiri, avokatit Fanol Krasniqi pasi mungoi në seancën e së martës, duke bërë që ky gjykim të dështojë për të gjashtën herë gjykimi për fajde.
Në këtë rast, Remzi Jahiri po akuzohet për fajde, ndërsa Hilmi Dudi për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas procesverbalit të seancës së të martës, avokatit Krasniqi i shqiptohet gjobë prej 800 euro për mosparaqitje në gjykim dhe mosarsyetim të mungesës.
“Konform dispozitave ligjore nga neni 304 paragrafi 2 av.Fanol Krasniqi i shqiptohet dënim me gjobë për mos paraqitje në gjykim dhe mos arsyetim të mungesës së tij për shkak se arsyet e dhëna nga i akuzuari R.J dhe mbrojtësi av.Ramiz Krasniqi për gjykatën janë të pamjaftueshme si arsye për mungesën e tij në shqyrtimin gjyqësor av.Fanol Krasniqi ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe seanca është e caktuar me pajtimin dhe pëlqimin e tij nga seanca e kaluar, prandaj të njëjtit i shqiptohet dënim me gjobë në shumën prej 800.00 të cilin dënim duhet t’a paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktvendimit”, thuhet në proceverbalin e seancës.
I mbrojturi i Krasniqit (Fanol Krasniqit), i akuzuari Jahiri, sipas procesverbalit, ka thënë se avokati i tij ka rast vdekje.
Sipas procesverbalit, mbrojtësi i të akuzuarit Dudi, avokati Ramiz Krasniqi (babai i avokatit Fanol Krasniqi), para gjykatës ka kërkuar falje që ka munguar paraprakisht, kurse për mungesën e avokatit Fanol ka thënë se është e vërtetë ajo që tha i akuzuari Jahiri, duke shtuar se është çështje e gjykatës së si do ta vlerësojë mungesën e të njëjtit.
Po ashtu, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, avokati Fanol Krasniqi ka thënë shkurt “Kam rast vdekje”.Në procesverbal thuhet se kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini ka thënë se gjatë paraditës e ka parë avokatin Ramiz Krasniqi të shoqëruar nga avokati Fanol Krasniqi në oborrin e Pallatit të Drejtësisë, e këtë gjë nuk e kontestoi avokati Ramiz.
Seanca e radhës për këtë çështje u caktua të mbahet 17 nëntor 2023.
Ndryshe, seanca e 28 marsit 2023, ishte shtyrë në mungesë të akuzuarit Remzi Jahiri, i cili kishte qenë jashtë vendit për shkaqe shëndetësore. Ndërsa, seanca e 8 majit 2023, ishte shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Hilmi Dudi, avokatit Ramiz Krasniqi, i cili kishte munguar për shkaqe shëndetësore.
Ajo e 17 korrikut 2023, ishte shtyrë në mungesë të akuzuarit Hilmi Dudi i cili mungoi për shkaqe shëndetësore. Edhe, seanca e 12 tetorit 2023, ishte shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Hilmi Dudi, avokatit Ramiz Krasniqi, i cili kishte munguar për shkaqe shëndetësore.
Kurse, seanca e 13 tetorit 2023 dështoi shkaku se i akuzuari Hilmi Dudi nuk e ka pranuar avokatin zëvendësues Muhamet Mehmeti.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 22 prill 2022, Remzi Jahiri ngarkohet se ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve Valon Maliqeviq, Drilon Maloku, Liridon Berisha dhe Valon Krasniqi, duke u dhënë para me fajde në shuma të ndryshme, me kamatë mujore e duke pranuar para në shuma dukshëm joproporcionale.
Ndërsa, për të akuzuarin Hilmi Dudi thuhet se nga viti 2018 deri më 24 tetor 2019, në restorantin e “Petrol Company” në Fushë-Kosovës, ka ndihmuar të akuzuarin Jahiri në dhënien dhe marrjen e parave për të dëmtuarit e lartcekur, në atë mënyrë që sa herë të dëmtuarit kanë marrë paratë si në dispozitivin e aktakuzës, si dhe kanë kthyer paratë nga i akuzuari Jahiri, prezent ka qenë edhe i akuzuari Dudi..