Investime në infrastrukturë presin edhe banorët e fshatit Morinë të Gjakovës. Ata thonë se mungesa e rrugës bën që ata të mos rikthehen në këtë fshat.
Janë të rrethuar me natyrë të mrekullueshme, por nuk kanë infrastrukturë rrugore. Për këtë arsye, shumica e banorëve të fshatit Morinë të Gjakovës, hezitojnë të kthehen në vatrat e tyre për ta ringjallur jetën si dikur.
Ata thonë se që nga përfundimi i luftës, në këtë fshat pothuajse asgjë nuk është investuar.
Ndërkaq Shkumbin Kastrati, drejtor i Shërbimeve Publike, thotë se komuna e Gjakovës deri më tash ka intervenuar nëpër disa lagje të fshatit Morinë. Ai paralajmëron edhe investime të tjera.
Sipas drejtorit Kastrati, rruga e Morinës rreth 7 kilometër e gjatë, padrejtësisht është larguar nga buxheti i vitit 2020 të Qeverisë së Kosovës, kështu që krejt barra e investimeve në këtë rrugë, e cila llogaritet të kushtojë rreth 500 mijë euro, po e ngarkon buxhetin e komunës.
Nevojën e ndërtimit të rrugës Ponoshec-Morinë, segmenti pas Pllanikut, e kanë ngritur si çështje disa herë edhe asamblistët që vijnë nga ky lokalitet.