Punimet në një pjesë të rrugës Prishtinë-Ferizaj ka disa vite që nuk përfundojnë. Ngasësit e automjeteve ankohen se po u dëmtohen veturat nga rruga e prishur, ndërsa komunarët e Ferizajt thonë se rregullimi i kësaj rruge nuk është përgjegjësinë e tyre, por e Ministrisë së Infrastrukturës.
Ngecjet kanë vazhduar nga fshati Prelez i Jerlive deri në Fshatin e vjetër të Komunës së Ferizaj përgjatë magjistrales Prishtinë -Hani i Elezit. Vozitësit ankohen se mospërfundimin i rrugës po ua dëmtohen automjetet.
“Këto janë gjërat që shihen, katastrofë është. Së pari ne me kamionë këtu përditë që kalojmë dhe me kerre i dëmtuam krejt, nuk ka kush që e ndreq, as Qeveria as komuna askush nuk interesohet”, deklaroi Rrahim Sejdiu – vozitës.
Edhe Bujar Halili ka të njëjtat ankesa dhe të njëjtat kërkesa për autoritet.
“Për besë po e kemi shumë vështirë, sa defekte po na shkakton...Pak më herët e dërgova një kombi që ta rregulloj sepse është prish shkaku i këtyre gropave. Kjo po na kushton”, tha ai.
Në komunën e Ferizajt thonë se projekti i takon Ministrisë së Infrastrukturës, nga e cila kanë kërkuar disa herë që ta përfundojë këtë projekt.
Meriton Hajdini është drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt.
“Kemi kërkuar që sa më parë të gjendet një zgjidhje, të fillojnë punimet por nuk ka diçka konkrete. Nuk kemi ndonjë informacion, nëse është shkëputur kontrata, apo kanë gjetur zgjidhe për vazhdimin e punimeve. Për momentin, të gjitha punimet janë ndaluar apo pezulluar”, tha ai.
RTK ka kërkuar përgjigje në Ministrin e Infrastrukturës lidhur me përfundimin e punimeve në këtë rrugë, por deri tani nuk ka marr përgjigje. Punimet kanë nisur para disa vjetësh, por kanë ngecur periudhën e fundit.