Osmani: Deri më sot kemi instaluar matësit e energjisë dhe alokatorët në mbi 16 mijë njësi banimi

Kosova

Osmani: Deri më sot kemi instaluar matësit e energjisë dhe alokatorët në mbi 16 mijë njësi banimi

Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 21:25
Kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores “Termokos”, Fisnik Osmani

Kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores “Termokos”, Fisnik Osmani, ka njoftuar se deri më tani kanë instaluar matësit e energjisë dhe alokatorët në mbi 16 mijë njësi banimi.

Ai ka thënë se me instalimin e valvulave termostatike, termokokave dhe alokatorëve në radiatorë, këto familje nga sezoni i ardhshëm do të faturohen me mënyrën e re të kalkulimit, përmes së cilës do të mund të paguajnë aq sa kanë shpenzuar.

“Duke kontrolluar shpenzimet, kursehet energjia, krijohet një ambient i rehatshëm i jetesës dhe rrjedhimisht ruhet ambienti”, ka shkruar Osmani në llogarinë e tij në Facebook.

Më tej, ai ka bërë të ditur se aktualisht po bëjnë testimin e sistemit, i cili siç ka thënë, po jep rezultate të jashtëzakonshme në funksion të kursimit të energjisë.

“Termokos, po i jep kuptim Prishtinës së gjelbër!”, ka përfunduar Osmani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat