​Aliu i vendosur për ta transformuar Shtimen

Kosova

​Aliu i vendosur për ta transformuar Shtimen

Më: 2 janar 2024 Në ora: 13:53
Qemajl Aliu Qemajl Aliu

Komuna e Shtimes tashmë vitet e fundit ka filluar të marrë pamje më ndryshe, e të ngjasoj me qytetet e tjera. Me nisjen e projekteve më elementare, qytetarëve të kësaj komune po u plotësohen nevojat për jetesë. Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu derisa ka treguar se si ka qenë kjo komunë para pesë vjetëve, ai tha se sot e ka shumë të vështirë rindërtimin e saj, por se misioni i tij është që qytetarëve të Shtimes të mos u mungojë asgjë.

Kryetari Aliu tha se kanë nisur shumë projekte nga zero e që disa nga to kanë përfunduar më 2023, e të tjerat do të nisin këtë vit.

Aliu ka theksuar se 30 familjeve skamnore shumë shpejt do t’iu dorëzohen çelësat për shtëpi. Në tri vitet e ardhshme banorë të Shtimes nuk do të kenë më hallin se ku do i kalojnë netët e ftohta të dimrit. Ai zotohet edhe për ndërtimin e QKMF-së në hapësirë prej 2500 metra katrorë, për të cilën tha se me ndërtimin e kësaj QKMF-je do të zgjidhet një problem dekadash të cilin e kanë pasur qytetarët e Shtimes.

Aliu tha se për fëmijët e kësaj komune, çerdhet nuk do të mungojnë as në fshatra. Kryetari, derisa ka treguar se do të ndërtohen çerdhet në fshatin Petrovë, Godanc dhe Muzeçin, tha se ka menduar edhe për të rinjtë se ku do të kalojnë kohën e lirë, për çka tregoi se ka filluar rindërtimi i qendrës rinore, si dhe për sportistët e Shtimes stadiumi është duke u bërë gati.

Aliu: Shumë projekte të zotuara për Shtimen do të finalizohen në vitin 2024

“Ne kemi pasur disa zotime. Vlen të përmenden disa nga ato që për fatin e mirë vetëm disa kanë filluar, ato që i përmendem. Disa nga projektet madhore me plot kuptimin pritet të fillojnë, tashmë janë të buxhetuara, me fonde lokale dhe qeveritare dhe për vitin 2024 mund t’i garantojmë qytetarët e Komunës së Shtimes. Do të fillojë ndërtimi i QKMF-së së re, një objekt modern që do të jetë 2500 metra katrorë që ashtu siç jemi zotuar çështjen e infrastrukturës për mjekësinë familjare do të zgjidhim për dekada të tëra... Çerdhja në Petrovë është zotim i yni që do të fillojë, ndërtimi i aneksit të shkollës në fshatin në Petrovë, po edhe renovimi i shkollës të fshatit Vojnovc, stadiumi i qytetit është në procedurë të prokurimit që më në fund futbollistët e suksesshëm të klubit Vjosa të Shtimes do të kenë një stadium bashkëkohor, një shifër 2 milionë euro në atë stadium do të investohet. Si dhe ajo që quhet shtëpia e përshpirtshme ose qendra rinore, edhe aty ajo godinë që është aktualisht në gjendje jo të mirë do t’i nënshtrohet një rindërtimi me një vlerë prej 700 mijë euro. Këto janë projekte që do të nënshkruhen në vitin 2024”, tha Aliu.

Teksa flet për premtimet e dhëna në fushatë elektorale, Aliu shprehet se shpejt do të përfundojë unaza e vogël në qytetin e Shtimes. Ndërsa, rruga që lidh fshatrat e Shtimes, Pjetërshticë, Carralevë, Godanc dhe Gjyrkofc për vitin 2024 do të jetë gati, rrugë kjo e cila do t’i shtojë perspektivën kësaj komune në zhvillim.

Po ashtu, Aliu tha se për të gjithë lexuesit e Shtimes biblioteka e re do të jetë e hapur në mars të këtij viti.

Aliu: Premtimet në fushatën elektorale janë në përfundim në vitin që vjen

Video:

“Ka filluar dhe pritet të përfundojë unaza e vogël. Ajo që ka qenë premtim elektoral i imi dhe i ekipit tonë që është në drejtim të Lipjanit është, ka filluar çerdhja në Godanc dhe Muzeçin e në dinamikë të punimeve edhe me shpresën më të mirë mund të përfundojë në vitin që po vjen, rruga Pjetërshticë, Carralevë, Zborc, Godanc dhe Gjyrokofc që është një rrugë që asaj zonë do t’i shtojë perspektiven dhe zhvillimin, është një aset për komunën tonë që ka filluar dhe në vitin e ardhshëm do të mbyllet, tregu i gjelbër dy fazat e para kanë përfunduar dhe faza përfundimtare pritet që në vitin e ardhshëm të mbyllet dhe në fund qytetarët e komunës Shtimes të kenë një treg, ashtu siç e kanë merituar me kohë, po ashtu biblioteka dhe arkiva e qytetit është në përfundim dhe brenda tre muajve të parë të vitit 2024 presim të funksionalizohet. Ka edhe projekte tjera d.m.th. ndriçim, asfaltim të rrugëve dhe rrugicave, hapje të kanaleve atmosferike, kanalizim, renovim i shkollave pajisje me aparaturë teknologjike, pajisje të laboratorëve shkollorë, paketa higjienosanitare që kemi ndarë për secilën shkollë”, u shpreh Aliu.

Me ndërtimin e qytetit dhe fshatrave të Shtimes, dora do të ju zgjatet edhe familjeve skamnore, ku shumë shpejt do t’iu dorëzohen çelësat e shtëpive me dhjetëra familjeve.

Aliu: Çelësat e shtëpive të familjeve skamnore do të dorëzohen, tjerat priten të përfundojnë

“E kemi edhe një memorandum për jetimët e Ballkanit për të ndërtuar 30 shtëpi në tri vjet, për ata që janë në nevojë, që ju mungon strehimi dhe një shtëpi. Këtë vit brenda pak ditësh do t’i shpërndajmë çelësat mbi tetë familjeve që i kemi ndërtuar, dy janë në proces ndërtimi dhe po shpresojmë edhe vitin tjetër do të ndërtojmë dhjetë me shpresën me këto 20/30 shtëpi nuk do të ketë familje në Komunën e Shtimes që nuk do të ketë kulm mbi kokë... Është tranziti i Komunës së Shtimes që shumë e dinë që ka qenë i demoluar dhe në gjendje të mjerueshme dhe tani jemi në përfundim të këtij aksi, janë punimet, 80% kanë mbaruar dhe pritet të mbarojë 100%”, tha Aliu.

Qemajl Aliu derisa flet për projektet e Shtimes tha se kjo komunë ka qenë e anashkaluar qysh moti, ndërsa shtoi se, sot ndjehet falënderues për përkrahjen që merr nga pushteti qendror, derisa tha se kjo komunë ka nevoja të shumta për përmirësime.

Tutje, kryetari Aliu potencoi se me punë dhe angazhim edhe Shtimja do të arrijë të zhvillohet si komunat e tjera fqinje, Lipjani e Ferizaj.

Aliu: Shtimja ka nevoja dhe kërkesa të shumta të cilat do të plotësohen me mbështetjen qendrore

“Mjafton një qytetar që nuk është nga Shtimja dhe të shoh qytetin apo fshatin dhe e kupton që ne kemi dallime në raport me komunat e tjera në aspektin e zhvillimit dhe sidomos infrastrukturës. Prandaj, ju thash që në fillim që ne kemi një qeveri atje që moto kryesore e ka barazinë, drejtësinë, dhe transparencën dhe besoni që për përkatësi politike dhe partiake Komunës së Shtimes i ka aprovuar disa projekte me shumë dhe aty nuk është fare korrekte që të bëhen lajm për gjithë Republikën e Kosovës siç po ndodhë por Shtimja meriton barazi sepse ne i kemi 12 kilometra qytetarët e Lipjanit, 13 kilometra të Ferizajt dhe brenda kaq pak kilometrave do të shihni dallim dhe diferenca në zhvillim. Do punojmë që së paku që Shtimen ta zhvillojmë, të ndjehet e barabartë, një qytetar i Shtimes mos të ndjehet inferior... Unë ju thash që Shtimja ka nevoja dhe kërkesa të arsyeshme nga qytetarët sa që do të duhet vite e vite që të kemi mbështetje përveç fondeve lokale edhe nga qeveria në një mënyrë që të arrihet një zhvillim solid dhe një barazi... Jemi rrugës të mbarë dhe po besoj që shumë shpejt me punë dhe angazhim do t’i arrijmë”, u shpreh Aliu.

Sipas tij, e kaluara e tij profesionale sot po i del krah Komunës që e drejton duke mbajtur raporte të mira me Gjermaninë dhe se kjo e fundit po i shërben qytetarëve në të gjitha aspektet.

Aliu tha se nga ky raport sportistët e Shtimes do të kenë mundësinë të shkëmbejnë eksperienca me ata të Gjermanisë, si dhe nxënësit do të studiojnë në fakultetin gjerman.

Aliu: Gjermania po i shërben Shtimes në projekte të ndryshme, dhe anasjelltas

“Është e vërtetë, ne kemi raporte të mira sidomos me Landin Nordrehin Westfalen këto lidhje falë një të kaluare time që unë kam punuar mjek aty në Republikë, po ashtu edhe përmes disa bashkatdhetarëve tonë kemi arritur të krijojmë lidhje miqësore me kryetarë komunash në këtë Land... Ju e keni parë që para pak muajsh në verën që kaloj në një park që e kemi ndërtuar në Davidovc për respekt të këtyre raporteve miqësore që kemi. Por, edhe për respekt të banorëve ne kemi quajtur “NRW Park" dhe kjo i ka shërbyer edhe më shumë raporteve tona miqësore... Nga këto takime dhe kjo vizitë kanë dalë shumë konkluzione edhe bashkëpunime, janë ndarë dy automjete që do të vijnë për ndihmë për kompaninë “Pastërtia” për mbeturina dhe një automjet për zjarrfikësit, si dhe jemi marrë vesh për shkëmbim të përvojave mes administratës së Shtimes dhe atyre të Qarkut të Unna-s dhe shkëmbimin e nxënësve për të bërë studime në Qarkun Unna-s dhe nxënës nga Gjermania për të ardhur këtu. Po ashtu, sportistët, pretendojmë që të kemi shkëmbim eksperiencash dhe vizitash të sportistëve të Shtimes dhe anasjelltas”, shtoi Aliu.

Kryetari i Shtimes, Aliu tha se përkundër shumë projekteve që ka në plan të realizojë, ai ka gjithmonë kohë edhe për kërkesat dhe ankesat e qytetarëve të Shtimes. Ai zotohet edhe për transparencë.

Aliu: Në çdo kohë i mirëpres qytetarët e Shtimes për kërkesat dhe ankesat e tyre

“Përkundër shumë projekteve, siç e patë angazhimeve projekteve që kemi, unë mundohem të ndaj kohë dhe vëmendjen për secilin qytetar që shpreh dëshirë dhe ka kërkesë për të na takuar qoftë në zyrën time apo teren sa herë që dal. Komunikimi besoj që është i hapur, transparent dhe miqësor” tha ai.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale për kryetar të Shtimes të mbajtura më 14 nëntor 2021, kryetar i Shtimes është zgjedhur Qemajl Aliu.

Aliu është edhe aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje që nga viti 2006.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat