Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe njëheri anëtar i Komisionit për Media, Isak Shabani, ka treguar se çfarë është duke ndodhur me Projektligjin e KPM-së, i cili është në shqyrtim.
Fillimisht, Shabani deklaroi se të gjitha nenet e këtij Projektligji paraqesin rrezik.
“Të gjitha nenet e Projektligjit janë të rrezikshme, shumë vështirë është me i veçua. Por, kur nuk jepet e drejta që me pas një bord të ankesave që me i shqyrtua nëse i bëhet e padrejtë një mediumi është diçka që nëse shkon me gjykatë shkon me vite”, tha ai.
Ai thotë se derisa shqetësimi i organizatave ndërkombëtare ka qenë i madh, kjo tregon që ky Projektligj është i dëmshëm për mediat.
“Ky shqetësim aq i madh i të gjitha këtyre organizatave ndërkombëtare e vërteton me të vërtetë që është i dëmshëm, prandaj duhet të përdorim edhe ne mekanizma e mundshëm, ku megjithatë na ka mbet gjykata, që ajo ta jep verdiktin final. Duhet me analizu situatën, duke marrë parasysh reagimin e shoqërisë, opinionin edhe shoqërisë civile, edhe mediave është real e mos të them tash edhe kur Bashkimi Evropian dhe shumë organizata tjera ndërkombëtare po i bashkëngjiten këtij shqetësimi. Besoj që gjithmonë deri sot ka qenë ma mirë,kurse përkundrazi duke e pa sot këtë Qeveri se si vepron, më duket se ne kemi qenë shumë më të mirë se këta”.
Në syrin e opozitës, Shabani thotë se vështirë që ky Projektligj të ndalohet.
“Dyshoj se ky ligj do të ndalet. Tek kur i marrin veprimet nga ndërkombëtarët janë ardhë edhe janë ulë dhe kanë veprua se si me dalë nga situata e me bë zgjidhje. Ne do të kërkojmë që Projektligji me kalu në Komisionin e Venecias, e cila mundet me tregu realitetin. Që nëse ka diçka që ka të bëj me cungimin apo pengimin e lirisë së mediave, duhet me dërgu”
Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë.
Ky Projektligj, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në Projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.
Misioni i OSBE-së dhe i BE-së kanë thënë se mbështesin qëllimin e Projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, “siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”.