Vazhdon dezinsektimi selektiv kundër rriqrave në Malishevë

Kosova

Vazhdon dezinsektimi selektiv kundër rriqrave në Malishevë

Më: 3 qershor 2024 Në ora: 09:13
Foto ilustrim

Komuna e Malishevës është duke vazhduar me dezinsektimin e zonave endemike, në kudër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo, përkatësisht marrjen e masave preventive.

"Dezinsektimi gjatë kësaj fundjave është zhvilluar në qytetin e Malishevës, përkatësisht hapësirat më të frekuentuara dhe periferia e qytetit, ndërsa dezinsektimi do të vazhdoj edhe ditët në vijim, në zonat tjera", thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Sipas njoftimit, shtabi komunal për menaxhimin e situatës me EHKK në Komunën e Malishevës, kërkon nga organet kompetente në nivel të vendit, që të marrin masat e nevojshme, sipas strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK, përkatësisht të bëhet repelimi i kafshëve, ndërsa Ministria e Shëndetësisë të aktivizoj Këshillin Ndërministror dhe të merret më seriozisht me menaxhimin e situatës me EHKK, jo vetëm në Komunën e Malishevës.

Ndryshe në territorin e Malishevës, që nga paslufta, e deri në vitin 2013, si pasojë e virusit që shkakton ethe hemorragjike, e që kryesisht bartet nga rriqra tek njeriu, kanë humbur jetën 18 qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat