​Osmani vlerëson Drenasin për performancë shembullore, Lladrovci: Kemi punë për të bërë

Kosova

​Osmani vlerëson Drenasin për performancë shembullore, Lladrovci: Kemi punë për të bërë

Më: 7 qershor 2024 Në ora: 15:06
Vjosa Osmani dhe Ramiz Lladrovci

Në kuadër të vizitave të komunave të Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot vizitoi Komunën e Drenasit, me ç ‘rast përgëzoi atë për performancë të mirë në transparencë dhe llogaridhënie.

Osmani, pas takimit me kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci tha se Drenasi është një komunë që është bërë simbol i qëndresës, heroizmit dhe simbol i vendosmërisë së pa epur.

Krahas kësaj, në një deklarim për media, Osmani potencoi se Drenasi nuk njihet vetëm për kontributin e dhënë në luftën për lirinë e Kosovës, porse përmendi atë si një ndër komunat me performancën më shembullore në nivel republike.

E para e vendit theksoi përfshirjen e madhe të grave në pozitat udhëheqëse të kësaj komune, për çka tha se duhet marrë shembull.

Sipas saj, sa më shumë të ketë gra në vendimmarrje, aq më shumë do ketë perspektivë për qytetarët.

Osmani: Jemi në një komunë që është bërë simbol i qëndresës

“Jemi në një komunë që është bërë simbol i qëndresës, heroizmit dhe simbol i vendosmërisë së pa epur…Trimëria që e ka treguar kjo komunë dhe qytetarët e sa, trimëria e heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ata që qëndruan të pa tundur përballë shtypjes serbe dhe atyre që paguan çmimin përfundimtar me jetën e tyre për lirinë tonë nuk do të harrohet asnjëherë. Sakrifica e tyre na kujton se liria është më e çmueshmja dhe duhet të ruhet me përkushtim të pa lëkundur. Drenasi nuk shquhet vetëm për kontributin në lirinë e Kosovës, sot Drenasi frymon lirshëm dhe zhvillohet në mënyrë dinamike, duke u bërë një ndër komunat me performancën më shembullore më nivel të republikës sonë. I përtrirë dhe me një potencial për zhvillim ekonomik Drenasi po rritet, po zhvillohet nga sipërmarrës të zellshëm, biznese dhe përkushtim të vazhdueshëm të qytetarëve dhe qytetareve punëtorë. Është jashtëzakonisht inkurajues fakti që mbi 50 për qind e ekzekutivit komunal që nga dita e parë e udhëheqjes së kryetarit Lladrovci janë të përbëra nga gratë. Kjo dëshmon zotësinë e gruas, punën e saj të jashtëzakonshme dhe besimin në punën e gruas. Ky është një shembull që duhet ndjekur”, tha Osmani.

Me rastin e vizitës, presidentja Osmani potencoi se sfidat me të cilat po përballet Kosova, derisa përmendi pabarazinë ekonomike, papunësinë e të rinjve dhe nevojën për zhvillim të mëtejmë të infrastrukturës në disa sektorë.

Ajo tha se do të vazhdojë të përkrahë komunat në plotësimin e nevojave të qytetarëve.

Osmani: Komunat e fuqizuara e fuqizojnë shtetin tonë

“Komunat zhvillohen atëherë kur grave u jepet hapësirë për pozita vendimmarrëse. Prandaj, sa më shumë gra në vendimmarrje aq më shumë do ketë perspektivë për të gjithë qytetarët tanë. Akoma kemi pabarazi ekonomike, pa punësia e të rinjve është një ndër sfidat kryesore dhe nevoja për zhvillim të mëtejmë të infrastrukturës qoftë në sektorin e shëndetësisë, qoftë atij të arsimit janë çështje që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Komunat e fuqizuara e fuqizojnë shtetin tonë”, theksoi Osmani.

Ndërkaq, i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci derisa falënderoi presidenten për vizitë tha se pavarësisht sukseseve të deritanishme, kanë shumë punë për të bërë.

Ndër prioritetet e kësaj komune, Lladrovci potencoi arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik dhe bujqësinë.

Ai tha se do të vazhdojnë të jenë kampion në zbatimin e ligjit.

Lladrovci: Jemi kampion në zbatim të ligjit dhe do të vazhdojmë

“Jemi në komunën me performancën më të mirë komunale në nivel nacional për vite me radhë për transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mire. Për këto suksese apo gjysmën e tyre e kanë gratë. Kemi punuar shumë por kemi edhe shumë punë për të bërë. Arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, bujqësia janë disa nga prioritetet tona. Jemi kampion në zbatim të ligjit dhe do të vazhdojmë”, tha Lladrovci.

Gjatë vizitës në Drenas, presidentja vizitoi Parkun e Biznesit dhe shkollën "Xhevë Lladrovci", në Gllanasellë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat