Prizren, akuzohen për tentim vrasje pas mosmarrëveshjes rreth veturës së marrë me qira, të pandehurit ndihen të pafajshëm

Kosova

Prizren, akuzohen për tentim vrasje pas mosmarrëveshjes rreth veturës së marrë me qira, të pandehurit ndihen të pafajshëm

Më: 4 korrik 2024 Në ora: 22:39
Pamje nga seanca

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca e gjykimit të Gëzim Kastratit dhe Argëtim Kasollit, të cilët po akuzohen për veprën penale – tentim vrasje.

Në seancën e datës 04.07.2024 është lexuar aktakuza dhe të akuzuarit janë deklaruar rreth fajësisë.

Të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë për veprën penale që u vihet në barrë nga aktakuza e ngritur më 21.03.2024.

Tutje, palët kanë dhënë fjalën hyrëse.

Fillimisht, prokurori Mehdi Sefa tha se konsiderojnë se pas administrimit të provave në tërësi do të vërtetohet arsyeshmëria e aktakuzës së ngritur.

“Dy të akuzuarit i kishin ndërmarrë të gjitha veprimet dhe i kanë vrarë praktikisht por Zoti i ka shpëtuar. Veprimet e tyre nuk ishin të ndara por së bashku pa rreshtur i kishin goditur të dëmtuarit. Zoti nuk deshi që të dëmtuarit të vdesin por megjithatë pasojat për të njëjtit do të mbesin tërë jetën’’ – shtoi përfaqësuesi i palës së dëmtuar E.K., avokati Blerim Mazreku.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Gëzim Kastrati, avokati Klodian Krasniqi theksoi faktin se i mbrojturi i tij, respektivisht përfaqësuesit e familjes së tij, kanë shprehur vullnetin disa herë që me të dëmtuarit si dhe familjarët e tyre të takohen për kërkim falje, mirëpo të njëjtit në formë revolte nuk kanë pranuar si dhe kanë paraqitur kushte të ndryshme të kompensimit “në shuma marramendëse”.

Në fjalën hyrëse përfaqësuesi i të akuzuarit Argëtim Kasolli, avokati Miftar Qelaj tha se në veprimet e klientit të tij lëre që nuk janë formuar elementët qenësore të veprës penale për të cilën akuzohet, por nuk ka fare vepër penale “sepse i njëjti ka qenë i sulmuar nga të dëmtuarit”.

Gjatë seancës u vendos të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve të dëmtuarit.

Seanca e radhës u caktua për 6 shtator të këtij viti.

Sa i përket aktakuzës së ngritur nga prokurori Mehdi Sefa më datë 21.03.2024 thuhet që të akuzuarit Gëzim Kastrati dhe Argëtim Kasolli më 12.02.2024, rreth orës 23:20, në Prizren, në afërsi të kompanisë së dhënies së veturave me qira “Galaktika” pas një mosmarrëveshjeje paraprake rreth marrjes me qira të automjetit dhe pagesës së saj të akuzuarit me dashje tentojnë të privojnë nga jeta të dëmtuarit E.B. dhe E.K.

Sipas aktakuzës, të pandehurit shkojnë në kompaninë “Galaktika” për t’u sqaruar lidhur me vërejtjet që kishin të dëmtuarit rreth shfrytëzimi të automjetit të të dëmtuarit E.B. të dhënë me qira, dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, të pandehurit nxjerrin thikat dhe fillojnë ta godasin E.B. në regjionin e fytyrës, kraharorit, parakrahut dhe krahut të majtë, duke u shkaktuar prerje të muskujve.

Ndërsa, edhe të dëmtuarit E.K. i shkaktohen plagë prerëse në regjionin e bërrylit të djathtë dhe dëmtime të tjera, të cilat aktakuza i konsideron dëmtime të rënda trupore.

Kësodore me këto veprime pretendohet që të akuzuarit kanë kryer veprën penale – vrasje në tentativë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat