Ligji për Aftësim, Riaftësim Profesional dhe Punësim të Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk po gjen zbatim në kompanitë private. Në mesin e rreth 800 gjobave që janë shqiptuar për gjashtë muaj, Inspektorati Qendror i Punës, ka ndëshkuar këtë sektor edhe për mos punësim të personave me aftësi të kufizuara. Ligji obligon institucionet publike dhe private që çdo të pesëdhjetin vend të punës, ta rezervojë për personat me aftësi të kufizuara. Organizatat joqeveritare thonë se legjislacioni në fuqi nuk po zbatohet dhe se nuk po merren parasysh përgatitjet profesionale të personave me aftësi të kufizuara.
Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi deklaron se po bëhen përpjekje për mbikëqyrje të këtij ligji, ndërkohë që punëdhënësit detyrohen të paguajnë pagën minimale në rastet kur nuk kanë mundësi të punësojnë persona me aftësi të kufizuara.
Nikçi: Inspektorati i Punës e ka rritur intensifikimin e mbikëqyrjes së këtij ligji
“Inspektorati Qendror i Punës, mbikëqyrjen e këtij ligji, veçanërisht në pjesën e dytë të vitit 2022 e këtej e ka rritur intensifikimin e mbikëqyrjes së këtij ligji. Do të thotë kur një inspektor apo inspektore në një subjekt të caktuar kërkon nga punëdhënësi që të prezantojë nëse subjekti ka mbi 50 të punësuar dhe nëse ka një punëtor me aftësi të kufizuar të punësuar në bazë të këtij ligji. Dhe në rastet kur nuk e ka duhet që i punësuari, duhet të paguajë pagën minimale i cili derdhet në Thesarin e Shtetit dhe është i dedikuar për aftësimin profesional dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuara”, deklaron ai.
Nikçi nuk specifikon numrin e gjobave për shkeljen e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Nikçi: Ka edhe gjoba për mos respektim të Ligjit për Punësim të Personave me Aftësi të Kufizuara
“Ne vazhdimisht nga pjesa e dytë e vitit 2022 e këtej jemi në mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji. E pse nga 2022 e këtej? Ndoshta për faktin që ka qenë viti për personat me aftësi të kufizuara i shpallur nga presidentja e kryeministri i vitit...787 masa ndëshkimore që janë shqiptuar përgjatë këtij gjashtë-mujori, këtu ka edhe shqiptime ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar Ligjin për Aftësim, Riaftësim dhe Punësim të Personave me Aftësi të Kufizuara”, shton kryeinspektori i Punës.
Punësimi i personave me aftësi të kufizuara nuk është i lehtë, thotë drejtori i organizatës “Handikos”, Afrim Maliqi, teksa shton se të njëjtit kanë të drejtë për punësim.
Maliqi: Nuk ka ambient të përshtatshëm për punë për personat me aftësi të kufizuara
“Duhet të jetë qasja, nëse nuk ka qasshmëri, transport të përshtatshëm, ambienti i përshtatshëm për punë ku një person duhet ta kryejë atë punë, atëherë personi normalisht që heziton dhe nuk mund të ofrohet deri te vendi i punës...Kemi informata se Inspektorati i Punës po shkon në kompani, biznese private dhe po kërkojnë prej tyre që ta zbatojnë ligjin, ose të gjobiten sipas ligjit që e përcakton. Nuk kemi informata se sa gjoba janë dhënë deri më tani dhe nuk kemi informata se ai fond i cili do të krijohet do të përdoret apo do t’i dedikohet organizatave apo shoqatave që merren me ngritjen e kapaciteteve të personave me aftësi të kufizuara dhe punësimin e tyre”, deklaron ai.
Drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini Beqiri thotë se ligji nuk po gjen zbatim as në institucionet publike, të cilat duhet të jenë model.
Hajdini-Beqiri: Ky ligj nuk po gjen zbatim as në institucionet publike
“Ky ligj nuk është duke gjetur zbatimin e plot dhe zbatimin konform nevojave të personave me aftësi të kufizuara, të cilët janë të gatshëm për treg të punës. Ne ende kemi një mos respektim të duhur nga sektori publik në raport me punësimin e personave me aftësi të kufizuara brenda këtij sektori...Ne kemi të punësuar rreth 26 persona me sindromën doën në nivel vendi, që nuk është numër i kënaqshëm. Mirëpo kur flasim për punësimin, ne duhet të jemi të vetëdijshëm para punësimit si shoqëri apo institucionet publike përgjegjëse, a po bëjnë mjaftueshëm në raport me zhvillimin e aftësive profesionale apo me mbështetjen e mjaftueshme në fushën e arsimimit dhe edukimit të personave me aftësi të kufizuara”, thekson ajo.
Më tej, ajo shton se pamundësimi i qasjes në punë përbën edhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Hajdini-Beqiri: Mos përmbushja e kësaj të drejte përbën shkelje të të drejtave të njeriut
“Mos përmbushja e një të drejte, jo vetëm në fushën e arsimimit, por në përgjithësi në të gjitha fushat e jetës, përderisa një e drejtë është e garantuar me Kushtetutë si akti më i lartë juridik dhe me ligjet e tjera në fuqi, normalisht që përbën shkelje të të drejtave të njeriut...Institucionet publike përgjegjëse duhet të krijojnë mekanizma për mbikëqyrjen dhe monitorimin e zbatimit të Ligjit për Aftësim, Riaftësim dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ky ligj gjithashtu garant që të gjitha të hyrat të cilat mblidhen nga gjobat nga institucionet të cilat nuk e respektojnë kuotën sa i përket respektimit 50+1, ky ligj e specifikon se të gjitha të hyrat financiare duhet të destinohen për mbështetje me shërbime për personat me aftësi të kufizuara”, deklaron ajo.
Ajo konsideron se ende nuk ka resurse të mjaftueshme për përgatitjen profesionale të personave me aftësi të kufizuara.
Kryetari i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu thotë se duhet të vlerësohet potenciali i një personi e jo të paragjykohet për shkak të aftësisë së kufizuar.
Kadriu: Ka numër të konsiderueshëm të personave me aftësi të kufizuara që kanë grada të ndryshme profesionale
“Sfidat janë të ndryshme, pavarësisht prej profilit profesional të cilin e ka personi me aftësi të kufizuara. Kemi një numër të konsiderueshëm të personave me aftësi të kufizuara që kanë grada të ndryshme profesionale shkencore dhe ata pa dyshim që shpesh kanë diskriminim nëse ka ndonjë konkurs të hapur, sidomos në sektorin publik por pa dyshim edhe në sektorin privat. Për vet faktin që nuk ka ndonjë dokument i cili kishte inkurajuar institucionet për të zbatuar këtë ligj, neve e dimë që është një rregullore e cila kohëve të fundit është duke qarkulluar nëpër Ministrisë për Buxhet apo Zyrës së Kryeministrit por me sa e di unë rregullorja ende nuk është në fuqi që do të kishte një lehtësim sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuara”, përfundon ai.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vendet në zhvillim si Kosova, janë 7 deri në 10 për qind persona me aftësi të kufizuara. Të gjitha institucionet publike e private, ligji i obligon që çdo të 50-tin të punësuar ta kenë person me aftësi të kufizuara.